Ndarja e bashkëshortit të saj nga jeta Klement Lutfija, pasi për fat të keq nuk ia doli t’i mbijetonte një aksidenti të rëndë në Stamboll, për Linda Kalemin dhe dy djemtë e saj ishte një humbje e madhe. Në studion e “Rudina” në Tv Klan, përveç dhimbjes, ajo rrëfen dhe forcën që gjeti për t’u ringritur dhe për të vazhduar gjërat që kishte lënë pezull.
“Vrapo Linda,” kujton ajo fjalët që i ka thënë vetes në momentin që vendosi të “ringrihej”, dhe të shijonte siç e cilëson vetë Linda Kalemi, kohën e mbetur të jetës.
Rudina Magjistari: Hera e fundit që ti ke qenë këtu ne kemi folur për një ngjarje të trishtë në jetën tënde dhe nuk është se ka kaluar shumë kohë. Por, të kemi parë shumë aktivë në Facebook ku ti ke shpjeguar gjithçka. Gjithçka të ndodh ti e ndan aty me refleksionet e tua që në fakt janë shumë interesante dhe për t’u lexuar. Më thuaj pak çfarë ndryshoi gjatë kësaj periudhe dhe si e gjete ti këtë energjinë kaq pozitive, si e tejkalove ti këtë momentin e vështirë dhe sot të shikoj kaq optimiste, kaq me dëshirë për të parë nga e ardhmja.
Linda Kalemi: Unë desha të ndaja diçka me ju. Ka disa ditë, ndoshta kjo shtëpia e re që hyra, tek shtëpia ime që s’kisha hyrë ndonjëherë, por hyra për herë të parë sepse kur vija transit shkoja në një ambient tjetër dhe e dija që do më bëhej kjo pyetje, sepse në media do të bëhet kjo. Them vërtet unë kam jetuar, vërtet unë kam qenë në Turqi?! Më duket sikur ka qenë një faqe e një romani, pra unë kam parë një serial, në atë serial ka qenë Linda në Turqi, ka qenë Klementi, ka qenë ndërrimi i jetës. E para unë u tremba, pas ikjes së tij unë them “obobo sa pak më kanë mbetur”. Se kur ikën një kampion, një burrë i hekurt mendoj që çdo gjë mund të na ndodhë. Dhe them “sa pak kohë që kam, atëherë vrap Linda”, unë tani jam shumë më dinamike, duhet të vrapoj shumë më tepër se sa më parë kur thoja “kushedi se sa do të zgjasë jeta ime”. Tani mua më ka hyrë frika dhe them “tani ajo iku, nuk e kthejmë dot më pas,” dhe them se çfarë duhet të le, unë nuk mendoj më për punë, për lekë apo për biznes, por dua të shërbej, t’i shërbej komunitetit sidomos atyre në nevojë./tvklan.al