Futbollisti i Liverpool, Darwin Nunez, nuk i ka mbajtur nervat dhe ka përfunduar duke bërë sherr me tifozët kolumbianë pasi kombëtarja e tij, Uruguai, humbi të mërkurën. Sulmuesi u pa teksa u konfliktua fizikisht në tribuna pas përfundimit të sfidës, e vlefshme për gjysmëfinalen e Copa America.
Sipas medias uruguaiane, El Pais, sherri plasi pranë vendit ku po qëndronin miq dhe familjarë të lojtarëve. Deri më tani Nunez nuk e ka komentuar publikisht incidentin. Kamerat kapën Nunez duke u ngjitur në shkallë dhe duke tentuar të godasë tifozët teksa disa të tjerë përpiqen që ta mbajnë. Në incident u përfshinë edhe lojtarë të tjerë të Uruguait.
Kapiteni uruguaian Jose Maria Gimenez tha se lojtarët po përpiqeshin të mbronin familjarët duke e përshkruar situatën si një “katastrofë”.
“Atje nuk kishte polici dhe duhej të mbronim familjet tona. Ky është faji i dy apo tre njerëzve që pinë më shumë seç duhet dhe nuk dinë çfarë bëjnë”, tha ai.
Uruguai u mund 1-0 nga Kolumbia në gjysmëfinale. Para se të niste konflikti në tribuna, mes lojtarëve dhe stafeve të dy skuadrave pati një përplasje në përfundim të ndeshjes.
Nunez e nisi si titullar për Uruguain, por nuk shënoi dot asnjë prej katër rasteve që pati. Liverpool e bleu Nunez për 64 milionë Paund në 2022-shin. Në 65 ndeshje për klubin ka shënuar 20 gola.
Nga ana tjetër, Kolumbia do të luajë me Argjentinën në finale./tvklan.al


