I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka dëshmuar sot në GJKKO në kuadër të procesit gjyqësor “Plumbi i Artë”.

Të pandehurit e tjerë, që akuzohen nga Nuredin Dumani për krime, kanë kundërshtuar me tone të ashpra deklarimet e Nuredin Dumanit, siç ka mësuar gazetarja e Klan News, Glidona Daci. Ata pretendojnë se thëniet e Dumanit nuk qëndrojnë dhe nuk kanë bazë provueshmërie.

Një nga të pandehurit Gentjan Sharra ka theksuar se në kohën kur e implikon Nuredin Dumani, ai ka patur biznese, ka marrë tendera 2 milionë Euro, ka poseduar një automjet 50 mijë Euro dhe nuk ka patur nevojë të merrte pjesë në një grabitje për të përfituar disa mijëra Euro, të cilat do të ndaheshin.

Ndërsa Petrit Qoli, pretendoi se prej 3 vitesh mbahet i arrestuar nga deklarimet e Dumanit dhe ka lënë jashtë një grua që e dashuron.

Ndërkohë Enver Diva i ka kërkuar gjykatës që pas përfundimit të dëshmisë së Dumanit, gazetarët të lejohen në sallë për të pasqyruar versionin e tyre.

Seanca e radhës do të vijojë pas dy ditësh, të enjten, kur do të dëgjohet sërish dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Seanca për deklarimet e të penduarve është me dyer të mbyllura.

/tvklan.al