Programi “Historia ime”, në TV Klan solli ditën e sotme problematikën dhe konfliktin e madh që ka lindur prej vitesh në familjen Tasha, për shkak të pronës. Elsa Tasha rrëfeu në studio se ka jetuar me bashkëshortin dhe familjen e tij në Dibër, për 14 vite.
Por për shkak të konflikteve të vazhdueshme me vjehrrën dhe kunatin, ajo dhe bashkëshorti vendosën që të zhvendoseshin në shtëpi me qera në Durrës.
Elsa është nënë e dy fëmijëve dhe tregoi se gjatë jetesës në një shtëpi me vjehrrën ka patur gjithmonë probleme me të. Gjithashtu edhe kunati pavarësisht se jetonte në shtëpi më vete me familjen e tij, përzihej në raportet e saj me vjehrrën.
Mirela Milori: Çfarë lloj konfliktesh kishit?
Elsa Tasha: Konflikti ishte ky, që ai përzihej tek shtëpia në raportet e mia me vjehrrën. Kur unë kërkoja diçka, ai nuk pranonte që të realizohej, diçka për fëmijët, se i kisha fëmijët të vegjël. Burrin nuk e kisha në shtëpi dhe kërkoja mbështetje. Duke qenë se isha pothuajse me 4 mure, vetëm me prindërit e burrit dhe dy fëmijët e vegjël, i binte si të isha shërbëtore. Mbi të gjitha nuk e hapja dot gojën, se nuk lejonte kunati vjehrrën, që të bënte diçka, që të më plotësohej diçka në shtëpi. Ishte kunati pengesa gjithmonë.
Mirela Milori: Kunati i martuar ndërkohë? Me familjen e tij?
Elsa Tasha: Po, kunati i martuar me fëmijët e tij. Burri im i thoshte pse ndërhyn në familje, pse ndërhyn tek nusja ime. Unë e kam lënë tek prindërit, ti çfarë ke që vjen nga shtëpia jote dhe ndërhyn këtu?
Mirela Milori: Vjehrra çfarë roli luante?
Elsa Tasha: Vjehrra nuk më mbronte, gjithmonë më sulmonte!
Mirela Milori: Pra nuk ke patur një raport të mirë me vjehrrën?
Elsa Tasha: Jo nuk kam patur raport të mirë me vjehrrën. Edhe pse isha nënë me dy fëmijë, vjehrra shpifte gjëra që nuk ishin fare, që nuk ekzistonin, duke i thënë djalit që nusja nuk është e mirë.
Mirela Milori: Pra vjehrra nuk i zbuste marrëdhëniet, por i acaronte?
Elsa Tasha: Jo nuk i zbuste, por i acaronte akoma dhe më tepër.
Mirela Milori: Mbas 14 vitesh vendosni të vini në Durrës, më the si pasojë e konflikteve. Kaq të forta ishin konfliktet?
Elsa Tasha: Ishin të forta konfliktet.
Mirela Milori: Edhe mes dy vëllezërve?
Elsa Tasha: Mes dy vëllezërve!
Mirela Milori: Të forta çfarë nënkupton, deri në konflikte fizike?
Elsa Tasha: Po të forta deri në konflikte fizike, kemi qëndruar tre vite pa u futur njëri-me tjetrin, vëllai me vëlla.
Mirela Milori: Pa folur?
Elsa Tasha: Pa folur, pa u futur fare në shtëpinë e njëri-tjetrit. As kunati nuk vinte tek ne, as burri nuk vinte atje.
Mirela Milori: Pse morët vendimin të vinit në Durrës, që të shuanit sherrin?
Elsa Tasha: Që të shuanim sherrin, që të ishim më të qetë dhe për një jetë të mirë për fëmijët./tvklan.al