Arbeni dhe Ergina u njohën si nëpër filma. Portreti i një personi të dashur dha bekimin për lidhjen e tyre të përjetshme. Ajo që i mungon lumturisë së tyre është prezenca e Nanunkës, nënës së Arbenit e cila jeton në Lushnje.

“Jemi tre fëmijë, dy motrat që jetojnë jashtë dhe unë në Tiranë. Papritur 6 muaj më parë babai u sëmur nga hemorragjia cerebrale dhe shkuam në spital, por pas 21 ditësh ai ndërroi jetë,u prekëm të gjithë nga kjo ngjarje, u trishtuam. Mendova që të bëja një tatuazh ose pikturë për babain tim. Në Instagram shikoj një faqe pikturash me emrin “erginahoxhaart”. Vendosa për një pikturë,por për momentin isha i trishtuar dhe nuk isha i fokusuar tek fotot e Erginës. Pasi i shkruajta e takova për t’i dhënë fotografinë dhe më tha pas disa ditësh do të jetë gati. Pas disa ditësh takohemi përsëri për të marrë pikturën dhe qëndruam pak më shumë teksa më tregonte për detajet e punës. Kur ndahemi po më tërhiqte, sepse po mendoja se nuk do të takoheshim më dhe kisha disa ndjenja për të. Ajo më shkruan për pikturën një ditë më vonë dhe më pyet:”A të pëlqeu?”. Dhe kështu nisi historia jonë,e ftova për kafe dhe më pranoi. Pas disa takimesh më thotë që duhet të takohesh me babain tim dhe të shkoja në familje për t’i kërkuar dorën. Babai i Erginës është polic, por takohemi dhe më pyet se si jemi njohur. Pasi i tregova historinë ai nuk më besoi dhe më thotë se kjo nuk është e mundur”, tregoi Arbeni.

Ergina thotë se që në momentin e parë i ka treguar familjes së saj për Benin dhe se historia e tij e ka prekur shumë që prej realizimit të pikturës. Ajo tani është studente në vitin e parë në Universitetin e Arteve në Tiranë, por ka një dashuri të madhe ndaj vjehrrës që e konsideron si një nënë.

Sot ata kanë ardhur për t’i dhënë një mesazh nënës së Arbenit, sepse ajo ka mbetur e vetme në Lushnje që prej ndarjes nga jeta të bashkëshortit dhe nuk vjen në pallat. Një pikturë nga nusja e të dyve së bashku do ta bënte atë më të lumtur.

Gazetari i rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” shkon në fshatin Bubullimë për t’i dhënë mesazhin zonjës Nanunka. Nënë Naunka e pranoi ftesën e nuses dhe djalit për të jetuar së bashku në Tiranë. Dhurata me portretin e saj me bashkëshortin e ndjerë i dha vlerë kërkesës së Erginës. Kujtimet e bukura të zgjasin jetën.

/tvklan.al