Për nxënësit e shkollave 9-vjeçare në qytetin e Lushnjës nuk është e detyruar betim ndjekja e mësimit, por edhe e kurseve private. Mësuesit e shkollave publike kryesisht të gjuhëve të huaja dhe lëndëve të tjera kërcënojnë nxënësit se nëse nuk frekuentojnë kurse private atëherë do të ndëshkohen me nota negative.
Denoncimin e skandalit e kanë bërë vetë nxënësit.
“Mësuesja tha po mora vesh që veni me një mësuese tjetër, mbaroi puna.”
“Mësuesja e anglishtes na ka thënë që e keni më mirë që të vini dhe në shkollë dhe në kurs me të njëjtin mësues.”
“Na ka thënë që hajeni te kursi i anglishtes edhe bëjeni me ne. Se mos të shkojmë me mësuese të tjera, më mirë të regjistrohemi andej se bëhet mësimi më mirë.”
Presionit të mësuesve nuk i kanë shpëtuar as prindërit të cilët janë të detyruar t’i çojnë fëmijët në kurse private. Drejtuesit e shkollës thonë se nuk kanë marrë ankesa, por paralajmërojnë se do të ndëshkojnë ata mësues që zhvillojnë kurse me detyrim.
Gëzim Sina: “Skam asnjë ankesë as nga nxënësit as nga prindër. E lejueshme që ti bësh presion nxënësit për të ardhur në kurs nuk është. Unë do të marr masë të menjëhershme në qoftë se e vërtetoj.”
Ndjekja e kurseve private paralelisht me shkollën është një fenomen i përhapur në të gjithë vendin dhe që vazhdon prej vitesh në mënyrë të pakontrolluar./tvklan.al