71-vjeçari Edmond.N, i cili qëlloi me armë zjarri (automatik) në lagjen nr.16 në Korçë është arritur të nxirret jashtë nga banesa.

Uniformat blu dhe shërbimet e Repartit Special RENEA rrethuan zonën, pasi 71-vjeçari u mbyll në banesën e tij. Pas disa orësh është bërë e mundur nxjerrja nga banesa e të moshuarit. Pas negociatave, i moshuari është dorëzuar dhe më pas është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Ndërkohë kujtojmë se nga të shtënat fatmirësisht nuk ka pasur njerëz të plagosur. Banorët e zonës u evakuuan teksa forcat RENEA “blinduan” zonën. Momentalisht i moshuari është dërguar drejt spitalit.

Fqinjët e të moshuarit thonë se ishte person problematik e i dhunshëm.

“Dëgjuam të shtënat edhe dolëm. Nuk e dinim që ishte tip kaq i rrezikshëm. Duhet të ndodhte kjo që ta njihnim, shpresoj që të mbyllet për mirë se nuk kthehemi dot në shtëpi”, u shpreh njëri prej tyre.


Njoftimi i Policisë:

Korçë

RENEA neutralizon dhe vë në pranga 71-vjeçarin që qëlloi me armë zjarri, në ajër, nga ballkoni i banesës së tij.

Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov, me krehër me municion luftarak.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e sotme, i cili bën fjalë për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr. 16, ku shtetasi E. N., 71 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, qëlloi me armë zjarri, në ajër, nga ballkoni i banesës së tij, ju bëjmë me dije se:

Me mbërritjen e njësive speciale RENEA, është krijuar perimetri i afërt i sigurisë, si dhe është negociuar me 71-vjeçarin, për t’u dorëzuar. Pas negociatave, 71-vjeçari është dorëzuar dhe më pas është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur arma e zjarrit kallashnikov, me krehër me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.


/tvklan.al