Të shtëna me armë janë regjistruar në lagjen Nr. 16 të qytetit të Korçës.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja e Klan News, Daniela Zisi bëhet e ditur se 71-vjeçari Edmond.N, ka qëlluar 3 herë me armë zjarri nga ballkoni i banesës së tij. Nga të shtënat mësohet se nuk ka njerëz të plagosur.

Policia ndodhet në vendngjarje ku ka rrethuar zonën, pasi dyshohet që personi që ka qëlluar me armë ndodhet në banesë. Ndërkohë momentalisht blutë vijojnë negociatat me 71-vjeçarin, teksa edhe shërbimet e Repartit Special RENEA kanë shkuar në vendngjarje për të ndërhyrë.

Njoftimi i Policisë:

Korçë/Informacion paraprak

Sot, rreth orës 10:20, në lagjen nr. 16, dyshohet se shtetasi E. N., 71 vjeç, me probleme mendore, ka qëlluar me armë zjarri nga ballkoni i banesës së tij (në katin e parë të një pallati).

Shërbimet e Policisë vendore kanë ndërhyrë mënjëherë duke krijuar perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar banorët e zonës.

Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të lënduar.

Në drejtim të vendit të ngjarjes po shkojnë shërbimet e Repartit Special RENEA, për të ndërhyrë për neutralizimin e shtetasit E. N., i cili ka mbyllur derën e banesës.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë, me masa sigurie për jetën e tyre, po mbajnë të rrethuar banesën.

Aktualisht nuk ka asnjë rrezik për jetën e banorëve.

/tvklan.al