Ndonëse ka kaluar 1 vit nga tërmeti i 26 Nëntorit, për pallatin 407 tek njësia 4, rruga e Dibrës në Tiranë, banorët thonë se nuk kanë pasur dëme dhe asnjë problem deri para dy javësh.

Në këtë kohë u vjen një shkresë nga njësia 4, ku pretendohet, se pallati është shumë i dëmtuar dhe i vlerësuar me DS4 dhe banorët duhet të dalin nga shtëpitë e të marrin bonus qiraje.

Në raportin e siguruar, inxhinierët e Institutit të Ndërtimit, Dhimitër Papa dhe Kristaq Kali, kanë bërë gabime në të dhëna, pasi sipas koordinatat i referohen një pallati në Surrel dhe jo te rruga e Dibrës.

“Pas  një viti që ka rënë tërmeti nuk na vjen asnjë njeri me na pa, as nga Instituti, as nga emergjencat civile. Para dy javësh na vjen një dokument nga minibashkia e katrës që thotë se ky pallat është i pabanueshëm. Është DS4 sipas inxhinierëve. Dhimitër Papa, Kristaq Kali janë inxhinierët e Institutit të Ndërtimit. Ky vlerësim ka shumë të meta. Ndërtesa është me tre kate mbi tokë pa bodrum me sipërfaqe rreth 180 metra katrorë”, tha një banor.

Pallati në fakt është 4 kate dhe tullat i ka të kuqe, ndryshe nga ç’shkruhet në raport se janë të bardha.

“Kryesorja, që koordinatat e këtij pallati figurojnë në Surrel”, tha banori.

Banorët pretendojnë se nuk kanë probleme siç shkruhet në raport.

“Me këto letra nuk figuron ky pallat fare. Është njësoj si të më vendosësh mua kaçurrela”, tha një banor tjetër.

“Njësia 4 ia kalon Institutin. Ne na kanë thënë me marrë bonusin dhe të ikim se pallati është duke u shembur. Shiheni dhe shkruani se si është pallati duke rënë”, u shpreh një banor.

“Nuk e duam bonusin, duam shtëpinë tonë”, tha një banor tjetër.

Për këtë problematikë, emisioni “Stop” vuri në dijeni kryetaren e njësisë administrative 4, Liri Qoshi, e cila pasi njihet me rastin thotë se do t’i çojë shkresë Institutit, që të rishikojë vlerësimin.

Administratorja Liri Qoshi: Na ka ardhur ekspertiza e thelluar nga Drejtoria e Emergjencave, dhe para dy javësh ekspertiza është bërë nga Instituti i Ndërtimit. Ne pastaj, jemi të detyruar të vendosim në dijeni banorët, që të marrin masat, duke i lajmëruar ato, konform zbatimit të VKM-së, në lidhje me procedurat, që do të ndiqen.

Mund t’i vini në dijeni që ka ndodhur një kërcitje në evidentim. Nuk ka të dhëna të pallatit. Në cilësinë e kryetarit thjesht t’i vendosësh në dijeni që ta evidentojnë edhe njëherë këtë rast sepse unë nuk mund të dal kundra. Unë nuk mund të them që nuk ka dëme, por ta vlerësojnë tamam.

Administratorja Liri Qoshi: Po pra!Bravo! As unë dhe as ti nuk e bëjmë dot, sepse kanë firmos inxhinierët, dhe aty ku firmosin inxhinierët…!

Inxhinieri nuk është i pagabueshëm…

Administratorja Liri Qoshi: O zemër, mund të mos jetë i pabanueshëm, por duhet të shkosh të interesohesh tek Instituti i Ndërtimit për këtë pjesë! 

Më pas “Stop” foli me njërin nga inxhinierët e ekspertizës, Dhimitër Papa, i cili këmbëngul, se bëhet fjalë për lapsus, por vlerësimi nuk ndryshon.

Inxhinieri Dhimitër Papa: Ky mund të jetë lapsus. E kupton?

Ky nuk është lapsus, ky është me i nxjerrë njerëzit jashtë nga shtëpia…

Inxhinieri Dhimitër Papa: Po prandaj po them, kjo është një gjë trashanike, që vetëm lapsus mund të jetë!

Lapsus mund të quhet vetëm tek një gabim, kur ke 4 gabime quhet argument, jo lapsus.

Inxhinieri Dhimitër Papa: Nejse, nejse!

Nejse brenda mundësive mund të vesh në dijeni kolegët dhe ta rivlerësoni këtë pallat?

Inxhinieri Dhimitër Papa: Po!Do vijmë nesër, do ngremë grup, do vijmë nesër ta shikojmë, ku është bërë edhe gabimi. Nuk është hera e parë, mund të ketë ndodhur 4-5 herë dhe janë vetëm lapsuse, dhe janë rregulluar në mënyrën më të mirë pa asnjë ekspert, pa asnjë problem.

Meqë e keni fiksim ta quajmë lapsus po e quajmë.

Inxhinieri Dhimitër Papa: Po edhe ti, meqë e ke fiksim ta quash gabim, quaje! 

Jo gabim jo.

Inxhinieri Dhimitër Papa: U kënaqe?

Argument! U kënaqa si jo se do vini nesër, ju presim bashkë me banorët zoti Papa.

Inxhinieri Dhimitër Papa: Po!

Çfarë ore do të vini nesër?

Inxhinieri Dhimitër Papa: Po më thuaj njëherë, cili pallat është?

Pallati 407 te rruga e Dibrës. (Qesh)

Inxhinieri Dhimitër Papa: O gazetare, po të them edhe njëherë, është lapsus dhe korrigjohet!

Korrigjohet?

Inxhinieri Dhimitër Papa: Po!

Në fund ai thotë, se do të tërhiqet nga rasti dhe vlerësimin do ta bëjnë kolegë të tjerë.

Inxhinieri Dhimitër Papa: E verifikova rastin, unë e kam bërë atë. Kam shkuar në vend, kam bërë fotot, e kam parë nga jashtë, kam hyrë dhe brenda. Pallati është i rrezikuar realisht. Një lapsus tek koordinatat është një shifër, që nga 8 është bërë 9 gabimisht.

 Jo po dhe me kate. Zotëri ai nuk është pallat me silikate të bardha, por të kuqe.

Inxhinieri Dhimitër Papa: Jo, jo, jo.

Ashtu lexonte vlerësimi.

Inxhinieri Dhimitër Papa: Tani, ato struktura silikat, mund të ketë mbetur nga një relacion tjetër, prandaj ajo korrigjohet.Neve do ta ribëjmë atë relacionin.Me të dhënat e reja, por konkluzionet nuk i ndryshon dot, sepse pallati është i rrezikuar! 

Duhet një rivlerësim për këtë rast.

Inxhinieri Dhimitër Papa: Ja, tani rivlerësimin nuk do ta bëj unë më, do të vijë një grup tjetër!

Pse tërhiqesh?

Inxhinieri Dhimitër Papa: Po do tërhiqem, se unë të njëjtin konkluzion do nxjerr.

Cilin këtë konkluzion, me lapsuset që kishe? Me lapsuse që kishe do nxirrje të njëjtin konluzion?

Inxhinieri Dhimitër Papa: Po lapsuset janë shkrim, o të lutem shumë tani! Lapsuset janë vetëm me shkrim.

Po më fal, por shkresa merret për bazë, jo fjalët!

Inxhinieri Dhimitër Papa: Të bëhet një rivlerësim korrekt nga një grup tjetër dhe jua them me bindje me profesionalizëm, që do ketë të njëjtin konkluzion me mua.

Mos u shpreh pa u bërë rivlerësimi!

Inxhinieri Dhimitër Papa: Dakord! Le të bëhet një rivlerësim, edhe shikohet ajo!/tvklan.al