Edhe bota e showbizz-it i ndjen ethet e garës presidenciale. Personazhe të famshëm kanë dalë tashmë me preferencat e tyre për kandidatët për presidentë dhe disa janë shfaqur publikisht duke i mbështetur në mitingje.
Yje të showbizz kanë shprehur shqetësimet e tyre për çështjet që duan të trajtohen nga presidenti i ardhshëm i SHBA-së. Nga trajtimi i borxhit kombëtar deri te rregullimi i mediave sociale dhe promovimi i energjisë së rinovueshme. Përshembull, për aktorin Matt Damon fitues i çmimit Oscar vëmendje i duhet kushtuar borxhit kombëtar.
“Do të doja që dikush të fliste për borxhin tonë prej 34 trilion dollarësh sepse këto janë shumë para. Duket se ky borxh nuk ka ndërmend të ulet. Nuk kam dëgjuar ende asnjë person që ta përmendë këtë gjë. Ky problem duhet të trajtohet.”
Tyler Perry thekson nevojën urgjente për rregullimin e mediave sociale.
“Ajo me të cilën po përballemi tani është një krizë në këtë vend dhe në mbarë botën. Kjo është kryesisht për shkak të mosrregullimit të mediave sociale, njerëzit janë në gjendje të thonë gjithçka që duan, të vendosin gjithçka që duan dhe t’i përdorin këto algoritme për t’i bërë njerëzit të mendojnë dhe të ndihen në një mënyrë të caktuar. Dhe shpresa ime një ditë është që ajo që po ndodh në mediat sociale do të jetë ajo që ndodhi me industrinë e duhanit. Duhet të bëjmë të gjitha kërkimet e nevojshme. Do ta bëjmë publike çdo gjë është mbajtur deri më tani sekret për të parë llojin e dëmit që po bëjnë në psikikën tonë mediat sociale.”
Jane Goodall dëshiron që një nga prioritetet e administratës së ardhshme të jetë rëndësia e ruajtjes së mjedisit dhe promovimit të energjisë së rinovueshme.
“Unë mendoj se disa kompani të naftës dhe gazit duhet të taksohen. Kompanitë që merren me energji të rinovueshme duhet të shpërblehen dhe të subvencionohen. Dhe unë do të shpresoja që presidenti i ardhshëm të lërë mënjanë hektarë tokë për të inkurajuar gjelbërimin e qyteteve për të nxitur energjinë e rinovueshme, dhe për të ruajtur e përfituar nga mjedisi. Këto masa do të ndihmonin edhe në zbutjen e varfërisë.”
Ian McKellen thotë se shpreson që presidenti i ardhshëm të kuptojë sfidat me të cilat përballet komunitetit LGBTQ+.
“Unë do të dëshiroja nga çdo president një botëkuptim të qartë se ku gjendet vendi ynë sot. Sigurisht, Amerika mund të jetë një forcë e madhe për të mirën duke qenë kaq e fuqishme dhe e pasur. Pra, do të votoja për kandidatin që është vigjilent për atë që po ndodh në mbarë botën. Psh, kur del si homoseksual, ju mendoni se i përkisni botës dhe lidheni gjithashtu me homoseksualë, të cilët po keqtrajtohen nga qeveria e tyre dhe nga shtetet fqinje. Dhe vetëm atëherë ti mund të kuptosh ndjesinë se si është të shpërfillesh.”
Për Billy Porter çështja më e rëndësishme është situata në kufi ku dynden mijëra emigrantë.
“Ka kaq shumë çështje për t’u fokusuar sa nuk di kë të them të parën, por për mua ka të bëjë me paqen në të gjithë kufijtë tanë.”
Shumë aktorë të Hollivudit kanë shprehur mbështetjen e tyre për Harrisin dhe madje iu bashkuan asaj në fushatën e fushatës javët e fundit vetëm për ta ndihmuar atë të fitojë ndaj ish-presidentit. Beyoncé u shfaq në një miting të Harris në javët e fundit, ashtu si ylli i popit Jennifer Lopez, e cila foli në Las Vegas të enjten, ku kritikoi shakanë përçmuese të humoristit Tony Hinchcliffe i cili i quajti banorët e Puerto Riko-s “plehra që lundrojnë në oqean”.
“Unë jam një grua amerikane. Jam vajza e Guadalupe Rodriguez and David Lopez të cilët vijnë nga Puerto Rico. Unë jam një portorikane dhe ne jemi amerikanë. Unë jam një grua, një nënë, një aktore dhe një shougirl. Mua më pëlqejnë fundet e Hollivudit. Më pëlqen kur personazhi i mirë fiton në fund. Dhe me një mirëkuptim ndaj së kaluarës sonë dhe me besim në të ardhmen tonë, unë do të hedh votën time për Kamala Harris, për presidente të Shteteve të Bashkuara, me krenari.”
Përveç Jennifer Lopez, ka një sërë yjesh të muzikës që kanë shprehur qartazi mbështetjen e tyre për Harris. Taylor Swift, Bad Bunny, Ricky Martin, Eminem, James Taylor, Stevie Nicks, Olivia Rodrigo, John Legend, Cardi B, Kesha, Billie Eilish, Bruce Springsteen, Neil Young, Beyoncé e shumë të tjerë.
Trump ka mbështetje nga artistë si Kid Rock dhe Jason Aldean, Amber Rose dhe Azealia Banks. Mbështetja për Harris shtrihet edhe në Hollyëood, me një sërë aktorësh të njohur si Leonardo DiCaprio, Julia Roberts, George Clooney dhe Jennifer Laërence që e kanë mbështetur publikisht atë. Mbështetje për të ka patur edhe nga nga figura të shquara politike, duke përfshirë ish-presidentët Barack Obama, Bill Clinton dhe Jimmy Carter.
Barbara Pierce Bush, e bija e ish-Presidentit George W. Bush, bëri fushatë për Harris, duke theksuar përkushtimin e partisë demokrate për avancimin e të drejtave të grave. Mbështetjet e të famshëmve kanë luajtur një rol gjithnjë e më të rëndësishëm gjatë fushatave të fundit zgjedhore presidenciale në SHBA, dhe gara e vitit 2024 për Shtëpinë e Bardhë nuk ishte ndryshe.
Sipas hulumtimit të Universitetit të Harvardit, ka prova që zërat e të famshëmve janë tepër të fuqishëm në ndryshimin e numrave të sondazheve.
“Tani për tani, votuesit e rinj kanë nivele relativisht të ulëta besimi tek shumë liderë dhe institucione, duke përfshirë mediat tradicionale të lajmeve, por të famshmit janë shpesh një përjashtim i rrallë,” tha Ashley Spillane, eksperte politike, për ABC News.
Kjo ishte e dukshme në zgjedhjet amerikane të vitit 2020 kur Taylor Swift deklaroi publikisht mbështetjen e saj për Joe Biden. Kjo bëri që më shumë se 35,000 njerëz të regjistroheshin si votues, sipas organizatës jofitimprurëse Vote.org. Në vitin 2008, mbështetja e Oprah Winfrey për Barack Obamën u zbulua se kishte rritur pjesëmarrjen e përgjithshme të votuesve, me rreth një milion vota shtesë.
Klan News