Vdekshmëria foshnjore u rrit nga njëri vit në tjetrin
Në Shqipëri mungon transporti për bebet e porsalindura që kanë nevojë për një trajtim mjekësor. Gjetjet shqetësuese bëhen të ditura nga një raport i publikuar në 2020 nga Organizata Botërore e Shëndetit.
Raporti thekson se foshnjet e sëmura dërgohen në spital përmes ambulancave që nuk kanë pajisjet specifike që kërkohen për një transport të sigurtë. Gjatë transportit ato mbikëqyren nga një infermiere apo nga një mjek, shumica e të cilëve nuk kanë trajnimin e dedikuar për kujdesin e moshave neonatale.
18 inkubatorë të transportit neonatal që mund të vendosen në ambulance janë siguruar nga Banka Botërore. 7 prej tyre janë në dispozicion të Spitalit të Traumës dhe 11 nëpër spitalet rajonale.
Po sipas raportit stafi nuk është i trajnuar në përdorimin e këtyre pajisjeve. Ndërkohë problem mbetet transporti në zonat e largëta. Po ashtu në raport theksohet mungesa e mjekëve pediatër kryesisht në zonat rurale, duke bërë që ky funksion të kryhet nga vetë mjekët e familjes.
Udhëzimet e OBSH për kujdesin e moshave neonatale njihen që prej vitit 2009, por sipas raportit gjetjet kryesore tregojnë probleme për zbatimin e procedurave standarde.
Sipas, INSTAT vdekshmëria foshnjore për në vitin 2019 u rrit në 10.3 për 1 mijë lindje të gjalla krahasuar me 8.9 në vitin 2018. 75 deri 80% e zë vdekshmëria e foshnjeve të porsalindura.
Tv Klan