Organizata Botërore e Turizmit e rendit Shqipërinë të parën në Europë për rritjen më të lartë të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë për periudhën Janar-Korrik 2024, krahasuar me periudhën e para-pandemisë.
Ndërsa në rang global vendi ynë mban vendin e dyte pas Katarit, me një rritje prej 93%. Për rrjedhojë, Shqipëria ka performuar më mirë edhe në rritjen e të ardhurave nga turizmi ndërkombëtar.
Sipas të dhënave të barometrit botëror të turizmit për periudhën Janar-Korrik 2024, Shqipëria renditet e para sa u takon arkëtimeve nga turizmi, me një rritje +128% krahasuar me periudhën e para-pandemisë.
Një lajm i tillë është publikuar në rrjetet sociale edhe nga Kryeministri Edi Rama i cili e cilëson si një tjetër certifikim ndërkombëtar për këtë vit turistik.
“9.7 milionë vizitorë të huaj nga Janari në Shtator të vitit 2024 dhe një diversitet i larmishëm tregjesh turistike në rritje, janë tregues të qëndrueshëm, por të sigurt se Shqipëria do të vazhdojë t’i mbushë muret me certifikata të tilla suksesesh ndërkombëtare, që përkthehen në më shumë të ardhura për bizneset, punësim për familjet dhe imazh pozitiv ndërkombëtar për Shqipërinë tonë, që as mund të imagjinohej pak vite më parë.”
Për vitin 2023 Shqipëria u rendit e katërta në botë për rritjen e flukseve ndërkombëtare në proporcion me popullsinë.
Tv Klan