Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Nënkryetari i komisionit parlamentar të mandateve dhe imunitetit Sokol Olldashi, deklaroi se dërgimi i kërkesës së kolegjit penal të Gjykatës së Lartë për dhënien e autorizimit, për procedim penal të deputetit Nikollë Lesi për votim të seancë plenare është i parregullt.

Sipas tij, në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, komisioni parlamentar nuk arriti të bëjë një vlerësim real të faktit nëse ka motive të bazuara për dhënien e autorizimit.

Sokol Olldashi: “Urdhëruar politikisht të çimunizonin Nikollë Lesin, anëtarët socialistë të komisionit të mandateve, refuzuan të administronin deklaratat e ish-drejtorit të SHISH Fatos Klosi dhe aludimet e tij për lidhjet e zonjës Nanon me shërbimet sekrete greke. Dokumentin e dt.11.10.2002, me nr. protokolli 36/50, ku zoti Nano i kërkon SHISH të dhëna rreth dosjes së Xhoana Nanos, njoftimin zyrtar të drejtorisë së policisë së Tiranës për 25 kg heroinë të kapura në autobusët e linjës Xhoi Travel, Tiranë-Athinë.”

Pakica në komisionin e mandateve fton trupën e ligjvënësve, që në seancën e të hënës, të korrigjojnë vendimin e gabuar të komisionit Çukaj dhe të refuzojnë kërkesën e kolegjit penal të Gjykatës së Lartë për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollë Lesi./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj