Ministri i Transporteve dhe njëkohësisht deputet i Qarkut te Fierit, Sokol Olldashi, ka sulmuar ashpër kryetarin socialist Edi Rama, lidhur me atë që ai e quajti marrje peng te institucioneve për interesa te tij personale.

Këto deklarata Olldashi i beri gjate analizës së zgjedhjeve te 28 Qershorit nga dega lokale e Partisë Demokratike në Fier.

Sokol Olldashi:  “Janë interesat e një grupi mafiozësh që ai i ka kompozuar deri në grupin parlamentar të Partisë Socialiste të cilët sot i kërkojnë pagesën e vonuar. Janë 7 milion euro të hedhura vetëm në qarkun e Fierit nga kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste. Janë paratë e zeza të krimit që ai do të përdorte, do t’i shlyente vetëm në një mënyrë, në atë mënyrë që po përdor Tiranën. Pra duke i falur tokën e shtetit Beso Sulës, Tajvanin. Që të ndajë paratë në Mallakastër për të blerë vota kundër nesh, janë toka shtetërore falur Artan Dulakut për të harxhuar thes me para në Tiranë, për ë blerë vota kundër nesh, janë interesat e Koço Kokëdhimës dhe të planit urbanistik të Tiranës që është bërë pulla pulla vetëm për interesat e Koços sepse janë 50 milion dollarë xhiro atje. Këto janë interesat që mbron Edi Rama dhe jo interesa e qytetarëve dhe ky njeri në fund të fundit çdo qytetar shqiptar nuk është më një lider, por është një rrugaç. Është një rrugaç politik që po kërkon të marrë peng vendin, por askush nuk mund ta bëjë këtë.”

Ministri Olldashi ka theksuar edhe njëherë se kërkesa e Ramës për të hapur kutitë e votimit është antikushtetuese dhe cenon rëndë shtetin ligjor.

Sokol Olldashi: “ Po kërkon të hapen kutitë vetëm si një pretekst për të mbajtur në këmbë funksionin e vet kryetarit të partisë dhe për të mbajtur rreth vetes, rreth aventurës së tij individuale të gjithë grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Ka vetëm shkaqe ligjore në themelin e refuzimit tonë të prerë për të prekur kutitë dhe nuk kemi ndërmend t’i vëmë minat shtetit ligjor vetëm e vetëm se këtë e kërkon interesi individual i Edi Ramës. Njëkohësisht edhe njëherë duhet t’i përgjigjemi me të gjithë forcën e pamëshirshme të ligjit dhe do të bëjmë përgjegjës vetëm një njeri individualisht dhe ky njeri quhet Edi Rama.”

Duke iu referuar certifikimit të zgjedhjeve nga ndërkombëtaret Olldashi tha se ishin arritjet e standardeve që bënë të mundur vendimin për pranimin e kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe vullnetin e shprehur për liberalizimin  e vizave brenda vitit 2010./tvklan.al