Sulmuesi anglez Ollie Watkins tha se ai kurrë nuk e humbi besimin se mund të jetë vendimtar për Anglinë gjatë këtij europiani. Tre Luanët po vazhdojnë të përgatiten për finalen e së dielës kundër Spanjës. Dhe tani Watkins është një nga lojtarët më të famshëm në kampin anglez, falë golit ndaj Holandës.
Ai kishte luajtur vetëm 20 minuta në pesë ndeshjet e para në europian, përpara se të hynte si zëvendësues dhe të vendoste gjysmëfinalen kundër Holandës me një gol në minutën e 91-të. Goli i vetëm i mëparshëm i sulmuesit të Aston Villa-s për Anglinë ishte kundër San Marinos tre vjet më parë.
Watkins: Ishte një ndjenjë e pabesueshme, për të qenë i sinqertë. E dija që kur të dal në fushë do të shënoj. E kam treguar këtë. Kam punuar shumë për të arritur në atë pikë, kështu që ishte një ndjenjë e mrekullueshme, por nuk jam i tronditur.
Në Euro 2024 ai u aktivizua vetëm në barazimin 1:1 me Danimarkën në fazën e grupeve. Ai duhej të ishte i durueshëm për të fituar shansin.
Skuadra e drejtuar nga Gareth Southgate ka fituar vetëm dy nga gjashtë ndeshjet në Euro 2024, nëse numërohen vetëm 90 minutat. Ai kishte nevojë për gola të vonshëm dhe një rikthim në ndeshjet e fazës eliminatore kundër Sllovakisë, Zvicrës dhe Holandës.
Megjithatë, Watkins shpreson që Anglia të jetë në maksimumin e saj të dielën kur do të përballet me Spanjën, e cila ka dominuar të gjitha ndeshjet e tyre deri më tani.
Watkins: Është e qartë se në fazën e grupeve nuk kemi luajtur futbollin më të mirë. Nuk duhen shumë njohuri për ta kuptuar këtë. Të gjithë e dinin, edhe në kampin tonë. Por ne nuk i humbëm ndeshjet, kështu që ishim të pamposhtur. Kjo ishte e rëndësishme një ekip dhe ne kemi qëndruar të bashkuar.
Kualifikimi i Spanjës në finale ishte edhe më mbresëlënës. Kjo është finalja e parë për spanjollët që kur brezi i tyre i artë fitoi tre turne radhazi nga viti 2008 deri në vitin 2012.
Njerëzit e Luis de la Fuentes kanë mundur Kroacinë, Italinë, Gjermaninë dhe Francën në rrugën për në Berlin.
Watkins: Ndjej se Spanja ishte skuadra më e mirë deri më tani në kompeticion. Është e qartë se anësorët e Spanjës janë dinamikë, të rinj, të sigurt dhe të drejtpërdrejtë. Por edhe në ekipin tonë ne kemi gola nga të gjitha anët, kemi talente të klasit botëror. Do të jetë një ndeshje interesante mezi pres ta shoh dhe të jem pjesë e saj, shpresojmë që ta përfundojmë misionin.
/tvklan.al