Grupi 4iG, investitori i One Albania, lider rajonal në fushën e IT-së dhe telekomunikacionit ka nënshkruar një marrëveshje me gjigantin suedez të teknologjisë Ericsson, për të garantuar një performancë të lartë të rrjetit celular në Shqipëri. Ky investim në infrastrukturën e telefonisë celulare vjen pas blerjes së frekuencave për teknologjinë 5G nga One Albania, pjesë e 4iG.
One Albania u bë operatori i parë në vend që hodhi në treg shërbimin 5G, më 25 nëntor 2024. Frekuencat e reja u blenë për 5.4 milionë euro në tenderin e shpallur nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe paketa 5G do të vihet në përdorim të plotë në vitet e ardhshme, duke investuar me pajisjet e rrjetit Ericsson. Bashkëpunimi me Ericsson përputhet më së miri me strategjinë e grupit hungarez 4iG pro-investimeve në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“4iG është një grup rajonal që ofron një gamë të gjerë shërbimesh telekomunikacioni në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria është ndër vendet kryesore ku kemi investuar ndaj marrim parasysh aspektet ligjore dhe politike, kur bëhet fjalë për çdo vendim të rëndësishëm strategjik. Për këtë arsye nisëm bashkëpunimin afatgjatë me Ericsson, një partner teknologjik i Shqipërisë prej vitesh”, tha Peter Fekete, Drejtori Ekzekutiv i Grupit 4iG.
“Kjo marrëveshje thekson përkushtimin e Ericsson për avancimin e inovacioneve që sjell teknologjia 5G në vend. Nëpërmjet 5G-së, ne mundësojmë lidhje më të shpejtë, më të besueshme dhe të qëndrueshme, duke hedhur themelet për shërbimet e gjeneratës së ardhshme. Ndërsa kërkesa për rrjete me performancë të lartë rritet, partneriteti ynë me One Albania, pjesë e Grupit 4iG, do të mbështesë nevojat e konsumatorëve dhe bizneseve”, tha Antonio Passarella, Drejtor i Ericsson-it për Ballkanit Perëndimor.
Investimi prej mbi 50 milionë Euro, si fillim, do të sigurojë një mbulim gjithëpërfshirës me teknologji 5G në zonat kryesore strategjike, duke përfshirë portet dhe aeroportet kryesore, infrastrukturën kritike spitalore në Tiranë, si dhe pikat më të vizituara bregdetare. Brenda vitit 2028 pritet mbulim me brez të mesëm 5G me kapacitet të lartë për të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke arritur në 85% të mbulimit të popullsisë deri në fund të vitit 2030.
Marrëveshja mes grupit 4iG dhe Ericsson përfshin aksesin në valët celulare dhe investime në rrjet, duke ofruar teknologjinë më të avancuar 5G Stand Alone (5G SA). Falë bashkëpunimit me Ericsson dhe investimet e deritanishme të grupit hungarez 4iG, One Albania renditet si rrjeti celular me performancën më të mirë, bazuar edhe në matjet e bëra nga ekspertë ndërkombëtarë ndër vite.
Në Shtator 2024, lideri i telekomunikacionit solli për herë të parë në Shqipëri internet deri në 10 Gbps, duke kombinuar brezin e gjerë me shpejtësi premium dhe teknologji të përparuar për të maksimizuar përvojën e klientëve, kjo edhe falë vlerës dhe standardit të lartë të investimeve të Grupit 4iG në tregun e telekomunikacionit në Shqipëri./tvklan.al