Operatori i sistemit të shpërndarjes po vijon punën në pajisjen e abonentëve me matësa elektrikë.
Sipas drejtorit të OSHS-së deri më tani janë kompletuar rreth 70% e gjithë konsumatorëve.
Sahit Dollapi: “Janë plotësuar rreth 70% e gjithë abonentëve pa matje. Ka përfunduar vendosja e sistemit të matjes në disa zona në zonën e Gjirokastrës, në zonën e Korçës, në zonën e Elbasanit, në qarkun e Beratit me përjashtim të Lushnjës, në zonën në Kavajë. Tani vazhdon vendosja e matjes qoftë në abonentët familjarë dhe privatë në zonat e Shkodrës, Fierit dhe të Tiranës.”
Duke folur rreth furnizimit me energji të konsumatorëve drejtori i OSHS-së theksoi se në një kohë kur në mjaft zona të vendit për shkak të remonteve ka ndërprerje, zonat bregdetare janë furnizuar 24 orë me energji.
Sahit Dollapi: “Zonat turistike kanë të garantuar dhe furnizimin me 24 orë dhe siç e kemi deklaruar dhe më parë në këto zona operojnë grupet e gatishmërisë, të cilat merren me mirëmbajtjen e rrjetit dhe me eliminimin e defekteve te avarive. Gjatë gjithë vijës bregdetare nuk ka për asnjë sekondë, nuk ka ndërprerje të energjisë, por furnizim 24 orë dhe të vazhdueshëm”.
Por krahas plazheve shqiptare këtë verë Korporata Elektroenergjetike ka furnizuar me energji edhe plazhet greke./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro