Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Lidhur me situatën aktuale politike në vend, kanë dhënë opinionet e tyre, figura të njohura nga fusha të ndryshme si gazetaria, arti dhe sporti. Ja çfarë mendojnë ata mbi krizën qeveritare dhe si e shohin rolin e presidentit në të.
Lutfi Dervishi:- “Tashmë ka dy opinione, njëri opinion është opinioni i opozitës që kërkon që presidenti të shkarkojë kryeministrin në lidhje me këtë krizë, opinioni tjetër është që presidenti të ushtrojë presion ndaj kryeministrit për të përshpejtuar zgjidhjen e krizës. Unë nuk mendoj se rrënjët dhe problemi i tanishëm qëndron tek presidenti i republikës, sepse në qoftë se do i shkojmë variantit të parë që presidenti të shkarkojë kryeministrin, atëherë mund që kryeministri i shkarkuar të aktivizojë Gjykatën Kushtetuese dhe ta gjejë anti-Kushtetuese shkarkimin e presidentit. Problemi i krizës qëndron tek kryeministri, i cili nuk do, nuk e ka vullnetin që të shikojë realitetin dhe të kuptojë që nuk e gëzon shumicën në parlament dhe realisht i mbeten dy rrugë, ose të japë dorëheqjen, ose të provojë edhe njëherë të fundit që të paraqesë dy kandidaturat e reja të presidentit dhe të kërkojë edhe njëherë votëbesimin në parlament. Kryeministri duket i vendosur për të shtyrë ditët deri në Kongresin e PS, por në kushtet e bllokimit të parlamentit nga opozita dhe në kushtet e fillimit të protestave, mendoj që kjo rrugë që ka zgjedhur është plot rreziqe”.
Petrit Ruka:- “Në të vërtetë unë nuk kam ndonjë, njohuri të saktë për politikën, sepse jam me profesion kineast, por e gjitha më duket si një dramë absurde, në të cilën lëvizin personazhe siç do thoshim në gjuhën tonë të pa formuar, të pavizituar mirë, janë në gjysmë mjegull gjërat, sigurisht është një dramë absurde, ku personazhet kryesore nuk po luajn rolin e tyre dhe çuditërisht në skenë çdo ntë shikojmë personazhe të dorës së dytë e të tretë, dëgjojmë më shumë analistë e politikanë, të cilët nuk e mbajnë dot mbi shpatulla zgjidhjen”.
Fatmir Mneri:- “Duke kaluar në terminologji sportive, do të thoja se jemi në një ndeshje, ku presidenti është në rolin e gjyqtarit, po themi Kushtetuta në rolin e rregullores së lojës, një anësor ka ngritur flamurin për një pozicion jashtë loje për gjendjen ku ndodhet qeverisja e vendit dhe më duket se presidenti arbitër duhet t’i fryjë bilbilit”./tvklan.al
Gazetare – Danjela Kostandini