Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian, OSBE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur si kusht për integrimin e Shqipërisë, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vitin 2005. E ndërsa ndërkombëtarët kërkojnë përshpejtim të reformave dhe tashmë më me ngulm atë zgjedhore, opozita shqiptare e shikon të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve demokratike pa largimin e kryeministrit Nano nga qeveria. Ja si e shohin këtë çështje disa politikanë të njohur.
Skënder Gjinushi: “Reforma për zgjedhje tashmë është bërë, sepse kodi është vlerësuar dhe nga ndërkombëtarët, por ai është deformuar vitin që shkoi në disa nene prap me bekimin e ndërkombëtarëve për hir të një kompromisi, i cili rezultoi i dështuar. Kështu që tani duhet vetëm një rregullim teknik i kodit në ato nene ku ka difekte të tilla dhe një përputhje e plotë e tij me kushtetutën. Ky kod i përpunuar në planin e ekspertizës profesionalisht, sigurisht që vjen në parlament, pra iu jepet partive apo grupeve parlamentare dhe aty hyn roli i politikës e cila s’duhet të nderhyjë më në pjesët profesionale, por duhet të merret vetëm me pikat ku rregullohen marrëdhëniet midis partive. Njëra, gabimet taktike të opozitës është që s’di ta lidhi d.m.th. mirë kërkesën e saj, e zëmë për ndryshime, sepse opozita mund të bëjë dhe presion për ndryshime qeveritare, për dështim reformash etj, etj., porë ata opozita fatkeqësisht e lidh me kushtin për zgjedhjet. Këto s’shkojnë bashkë, sepse zgjedhjet janë tjetër gjë, si të thuash dhe mirëqeverisja apo keqqeverisja është tjetër gjë.”
Preç Zogaj: “Zgjedhja që mbetet për t’u bërë është kjo, o do pranojmë izolimin dhe pushtetin e Fatos Nanos, o do pranojmë zgjedhjet e lira dhe integrimin. Zgjedhje më të thjeshtë shqiptarët nuk kanë pas ndonjëherë për të bërë.”
Gazetarja: A do të jetë e mundur një marrëveshje pozitë-opozitë nëse zoti Nano largohet nga qeveria?
Preç Zogaj: “ Pa diskutim është plotësisht e mundshme një marrëveshje dhe problemet zgjedhore nuk rregullohen pa marrëveshje.”
Arben Imami: “Fakti është që pa largimin e zotit Nano ky bashkëpunim është i pamundur të bëhet. Unë besoj se nuk ka asnjë shanc për të biseduar më me të.”
Megjithatë ish kryetari i Komsionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume mendon se është tepër vonë për të përmbushur kërkesat e ndërkombëtarëve për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kristaq Kume: “Nuk do të kemi mundësi, nuk do të arrijmë që të bëjmë një proçes zgjedhor të lirë dhe të ndershëm në përputhje me standartet e kërkuara në qoftë se forcat politike nuk fillojnë imediatisht të përfshihen në hartimin e asaj kornize ligjore, të asaj reforme ligjore që duhet për të zhvilluar mandej në bazë të tyre zgjedhjet në 2005.”/tvklan.al