Rikthimi i koalicioneve parazgjedhore duket se do të jetë “molla e sherrit” mes opozitës dhe mazhorancës. Ndonëse PS ka bërë të qartë se nuk do të pranojë rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, demokratët vijonë të këmbëngulin për rikthimin e tyre.
Demokrati Oerd Bylykbashi thotë se PS synon që duke ndaluar koalicionet parazgjedhore të pengojë rrotacionin politik.
Oerd Bylykbashi, deputet i PD: Çështja që ne këkrojmë është rikthimi i koalicioneve siç kanë qenë deri në vitin 2020. Një model funksionues që ka garantuar dy herë rrotacion politik. Edi Rama pse kërkon të pengojë rrotacionin politik mbi bazën e votës së qytetarëve shqiptarë.
Demokratët kërkojnë edhe lista të hapura, duke i konsideruar si një mekanizëm ku çdo kandidat mund të verifikojë votat që u kanë besuar qytetarët në zgjedhje.
Oerd Bylykbashi, deputet i PD: Ajo që ne do të përpiqemi të gjejmë është modeli më i mirë funksional që ka të bëjë jo me rezultatin, por me personalizimin e rezultatit. Ajo që duhet të garantojmë është mekanizmi i rrotacionit. Ta fillojmë me listën e hapur të partive politike.
Në kuadër të Reformës Zgjedhore, demokrati theksoi edhe ashpërsimin e masave kundër parregullsive në zgjedhje, duke propozuar edhe një task-forcë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Oerd Bylykbashi, deputet i PD: Ne sugjerojmë që pranë KQZ të ngrihet një mekanizëm task-force ku të jetë pjesë Prokuroria, Prokuroria e Posaçme, Policia e Shtetit, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve sigurisht aty, shërbimet tjera të cilat të bëjnë të mundur që në kohë reale të trajtojnë problematikat në periudhën zgjedhore.
Por edhe pse kërkon përfshirjen e SPAK në hetimet për krimet zgjedhore, Bylykbashi shpreh mosbesim ndaj organit të drejtësisë.
Oerd Bylykbashi, deputet i PD: Ne nuk i besojmë SPAK-ut në zgjedhje. Ne SPAK-ut po i kërkojmë të zbatojë ligjin.
Nuk i kurseu edhe akuzat ndaj Lulzim Bashës.
Oerd Bylykbashi, deputet i PD: Nëpërmjet Lulzim Bashës, Edi Rama i morri dy vjet procesit të Reformës Zgjedhore. Në dy vjet do ishte bërë jo kjo reformë, por edhe shumë gjëra të tjera.
Bylykbashi tha se propozimet e bëra nga demokratët për Reformën Zgjedhore kanë edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtarë në vendin tonë.
Klan News