Bylykbashi: Synon hapjen e dosjeve dhe pengon të marrin funksione publike personat që i kanë shërbyer komunizmit
Partia Demokratike ka depozituar në Kryesinë e Kuvendit projektligjin për lustracionin. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi sqaroi se nëpërmjet këtij projektligji synohet hapja e plotë e dosjeve për çdo qytetar që e kërkon, por edhe largimin nga jeta politike dhe institucioneve publike të atyre që i kanë shërbyer ish-Sigurimit të Shtetit.
Edhe pse një pjesë e deputetëve të PD dhe PS kanë dy nisma të tjera lidhur dekomunistizimin, Bylykbashi theksoi se projektligji për lustracionin është i plotë dhe ndryshe nga nismat e tjera, nuk synon vetëm ndryshime apo shtesa ligjore.
Më herët, Komisioni i Ligjeve ka miratuar në parim dy nismat e propozuara nga PS dhe Alibeaj për hapjen e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit si dhe verifikimit të certifikatave të pastërtisë për personat që kandidojnë në institucionet kushtetuese.
Klan News