Kolegët e Klan News janë shpërndarë në të gjitha pikat e protestës. Nga rrethrrotullimi i Milotit e deri në atë të Levanit, gazetarët e Klan News kanë dërguar informacionet më të fundit dhe pamje ekskluzive nga bllokimi i rrugëve.
Protestuesit marshojnë, qytetari shtron “sofrën” në mes të rrugës
Në Fushë-Milot protestuesit po zhvendosen drejt aksit rrugor Milot-Lezhë me thirrjet kundër qeverisë. Teksa në pamjet e siguruara nga Klan News shohim edhe djegie gomash, vëmendjen e rrëmben një qytetar i ulur këmbëkryq në mes të rrugës që po shijon djathin…
Nuk dihet nëse ky gjest i tij ka një domethënie që lidhet me revoltën, gjithsesi ia arriti qëllimit që të pikaset nga mediat.
Tvklan.al ka qenë në këtë raportim live që prej nisjes së bllokimit të rrugëve. Vijoni dhe qëndroni këtu për t’u njohur me të rejat më të fundit pasi bllokimi pritet të zgjasë deri në orën 20:00.
Deri më tani situata duket e qetë. Në rrugët e bllokuara nuk ka pasur asnjë përplasje me policinë. Po ashtu nuk është raportuar për incidente me qytetarë që kanë mbetur të bllokuar në makina si pasojë e mosbindjes civile.
Po shohim disa prononcime të përfaqësuesve të PD-së që venë theksin te kërkesa për qeveri teknike, por shohim që po i mëshojnë edhe faktit që mosbindja civile herët e tjera mund të zgjasë më shumë.
Po ju rikujtojmë edhe një herë. Qarkullimi është bllokuar në këto pika:
Kthesa e Kamzës në Tiranë
Mbikalimi i Shkozetit në Durrës
Rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan
Rrethrrotullimi i Rrogozhinës
Rrethrrotullimi i Levanit në Fier
Rrethrrotullimi i Milotit
Në një pjesë të këtyre rrugëve policia ka orientuar makinat të marrin rrugë dytësore.
Megjithatë jemi vetëm në orën e parë të kësaj bllokade. Partia Demokratike ka paralajmëruar se ajo pritet të zgjasë edhe dy orë të tjera, pra deri në 20:00.
Noka për Klan News: Revolta tejkalon Berishën dhe Metën, bëhet për Shqipërinë
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka dhënë një prononcim për Klan News nga Kthesa e Kamzës aty ku ai ndodhet si pjesë e mosbindjes civile që po zhvillohet këtë të martë.
Bllokimin e rrugëve, Noka e sheh si një revoltë që kapërcen Sali Berishën dhe Ilir Metën, por bëhet për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë e vendit…Lexo më shumë
Djegie gomash në Shkozet! Protestuesit e Milotit ndezin blicat e celularëve
Një numër i konsiderueshëm protestuesish edhe në Milot. Ata kanë ndezur blicat e celularëve, një formë paqësore e tyre në këtë tubim që si rrallëherë vjen në formë bllokade.
Situatë e qetë paraqitet edhe në Shkozet, ku nuk raporton përplasje apo radhë e gjatë automjetesh. I vetmi incident është djegia e disa gomave.
Edhe në Rrogozhinë nuk ka tension mes forcave policore e protestuesve. Dy rrugë alternative kanë shërbyer për të shmangur trafikun e automjeteve.
Boçi: Qëllimi, qeveria teknike. Mosbindja civile mund të zgjasë edhe me ditë
Luçiano Boçi është vendosur në Milot në mosbindjen e sotme civile të Partisë Demokratike duke bllokuar rrugët. Qëllimi i opozitës, tha ai, është qeveria teknike. Ai u shpreh se më vonë do të ketë akte të tjera nga opozita që mund të jenë edhe më të gjata se 3 orë, madje mund të zgjasin me ditë…Lexo më shumë
Situatë më e qetë në Rrogozhinë, “shfryhet” vargu i makinave
Siç raporton gazetari Fatos Salliu, qindra protestues kanë bllokuar rrethrrotullimin që lidh disa akse të rëndësishme në Rrogozhinë.
“Ky rrethrrotullim lidh disa akse me rëndësi, është bllokuar lëvizja në segmentin që lidh Durrësin me Lushnjen, më tej Fierin e Beratin. Segmentin nga Lushnja për në Elbasan. Herë pas herë ka pasur thirrje “Rama ik!”, ndërsa duket se ky tubim po zhvillohet në mënyrë të qetë. Nuk shoh një numër të madh automjetesh në dy akset. Janë dy rrugë të vjetra alternative.”
Protestuesit krijojnë ‘bllokadë’, policia e Tiranës orienton makinat në rrugë alternative
Siç bën me dije gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, Policia i ka orientuar makinat që të marrin rrugën dytësore për hyrjen në Tiranë për të shmangur radhët, që pranë mbikalimit të Kasharit.
Autostrada nga kthesa e Rinasit deri te kthesa e Kamzës është e pastër. Ka pak trafik në rrugë dytësore Yrshek-Mëzez-Astir-Yzberisht, por po normalizohet.
Nga Instituti deri te Terminali ka pak bllokim, por po shpërdahen për në Paskuqan, për të hyrë në Tiranë nga Bulevardi i Ri.
Ndoshta ky është protestuesi më i veçantë. Ndodhet në Milot dhe ka zgjedhur që të bllokojë rrugën me kalë ndërkohë që vetë është veshur me kostum tradicional shqiptar.