E marta i gjen demokratët në mosbindje civile, ku për 3 orë mbështetësit e opozitës të udhëhequr nga deputetët dhe drejtuesit lokal të selisë blu do të paralizojnë lëvizjen në 6 akse kryesore nga veriu në jug.

Segmenti i Sheshit “Shqiponja” është ndalesa e demokratëve të Tiranës dhe qarkut të Dibrës. Deputetët dhe drejtuesit e degëve të Durrësit, Krujës e Shijakut do të protestojnë në rrethrrotullimin e Shkozetit.

Një tjetër segment që do të bllokohet është edhe rrethrrotullimi i Milotit nga deputetët e Kukësit, Lezhës e Shkodrës. Në rrethrrotullimin e Bradasheshit do të bëhen bashkë demokratët e Korçës dhe Elbasanit.

Degët e Lushnjës, Kavajës, Rrogozhinës e Divjakës janë udhëzuar të bllokojnë rrethrrotullimin e Rrogozhinës, ndërsa ato të jugut rrethrrotullimin e Levanit.

Një ditë përpara mosbindjes civile të së martës, Sali Berisha ftoi shqiptarët t’I bashkohen protestave të opozitës në këto akse që do të nisin në orën 17:00 të pasdites.

“Ato 3 orë kundër regjimit i ftoj shqiptarët të bashkohen në atë protestë, sepse po luftojmë për interesat jetike të shqiptarëve.”

Ky nuk ishte i vetmi apel i Sali Berishës në konferencën e përjavshme me gazetarët. Duke iu referuar të dhënave të World Justice Project, që sipas tij konfirmoi dështimin e e plotë të reformës në drejtësi, Berisha ftoi partnerët ndërkombëtarë të heqin dorë nga çdo mbështetje e asaj që e cilësoi drejtësi e kriminalizuar dhe e kontrolluar nga kryeministri Rama.

“A e kuptoni ju se Altin Dumani është ndoshta më kriminel se Nuredini? Të angazhojnë Komisionin e Venecias për një rishqyrtim tërësor të këtij sistemi, në mënyrë që shqiptarëve t’u rikthehet e drejta themelore e një procesi ligjor të drejtë dhe drejtësia të nxirret nga kthetrat e politikës dhe të shndërrohet në një sistem të varur nga ligji. “

Ilir Metës, i cili ndodhet në qeli, duket se do t’ia kthejë nderin e vjetër që i garantoi futjen e PD në zgjedhje përmes koalicionit me Partinë e Lirisë, ndaj dhe kur pyetet, derën e selisë blu e lë të hapur për ish-Presidentin, që sipas Berishës është dënuar politikisht nga Rama.

“Ilir Meta është një i burgosur politik. Çështja e koalicionit është një çështje e hapur. PD qëndron e hapur ndaj aleatëve të vet. Partia e Lirisë është një parti aleate.”

Në takimin e përjavshëm me median, Berisha foli edhe për antimitingun që sipas tij, shqiptarët e Amerikës i rezervuan Ramës.

Tv Klan