Për të dytën herë brenda kësaj jave, opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka protestuar përpara godinës së Bashkisë së Tiranës, sërish me të njëjtën kërkesë, dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Që në nisje të saj, protestuesit kanë krijuar tensione duke hedhur tymuese, molotovë, fishekzjarre dhe djegur goma. Një pjesë e tyre kanë tentuar të çajnë gardhin metalik, e të zhvendosin blloqet e betonit, çka ka çuar në përplasje me punonjësit e policisë.
Përballë këtyre tentativave, uniformat blu kanë përdorur disa herë spraj me piper me qëllim shpërndarjen e turmës. Veprim ky që ka ngjallur irritim tek protestuesit, por dhe përfaqësuesit e opozitës.
Të vendosur për të vijuar kauzën e tyre, protestuesit njoftuan datën 21 Qershor për tubimin e radhës, ku sërish do të kërkojnë dorëheqjen e Erion Veliajt të cilin e akuzojnë si të përfshirë në aferat korruptive që çuan në burg ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës.
Tv Klan