Në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme Partia Demokratike ka thirrur protestën e saj kombëtare përpara Kryeministrisë. Gazetarja Jolldiz Shuaipi na tregoi detaje në lidhje me këtë tubim.
Më sloganin “Të bashkuar në betejë, opozita në aksion”, PD dhe aleatët e saj do të zbresin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në orën 20:00 për të mbajtur protestën e thirrur nga opozita e bashkuar.
Ky tubim vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit që i la logon e PD ish-kryeministrit Sali Berisha. Qëllimi i kësaj proteste të opozitës është krijimi i një qeverie teknike, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.
“Do të protestohet për të gjitha ato afera në krye të të cilave opozita thotë se qëndron kryeministri Edi Rama”, raportoi gazetarja.
Ndërkohë policia ka marrë masat e saj për të garantuar mbarëvajtjen e protestës. Rreth 1000 efektivë janë përgatitur për çdo skenar të mundshëm gjatë protestës. Nga ana tjetër do të ketë edhe një bllokim të rrugëve ku do të zhvillohet tubimi./tvklan.al