Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Vazhdon të mbetet debati i ditës borxhi prej 110 mijë frangash zvicerane që kryeministri Nano i detyrohet Forumit të Krans Montnës, që prej vitit 1998.
Gjatë një dreke pune, presidenti i Forumit të Krans Montnës Jean-Paul Carteron, ka informuar në mënyrë private presidentin Alfred Moisiu, për borxhin që Nano i detyrohej këtij forumi, pasi ka ikur nga Zvicra pa paguar faturat e këtij forumi që ai ka bërë së bashku me një delegacion zyrtar.
Burime nga presidenca thanë për TV Klan, se presidenti Moisiu i cili nuk ishte në dijeni më parë për këtë fakt, ka filluar hetimet zyrtare mbi vërtetësinë e borxhit që i detyrohet kryeministri i vendit, shtetit zviceran. Ndërkohë që ish-ministri i jashtëm Paskal Milo, ka pohuar se ishte vënë në dijeni për këtë fakt dhe ishte informuar nga misionet tona diplomatike në Zvicër, vetëm pak muaj pas kthimit të Nanos nga Krans Montna.
Ndërkaq ka ardhur dhe reagimi i opozitës për këtë skandal. Sipas nënkryetares së Partisë Demokratike Jozefina Topalli, ky fakt nuk lë vend për komente.
Jozefina Topalli: “Përpara se të jemi politikanë, ne jemi qytetarë shqiptarë dhe kur një komshi i joni, apo një qytetar i thjeshtë, dhe kur një njeri i thjesht merr një borxh që s’e lanë për vite të tëra, gjëja e parë që bën është turpërohesh prej tij dhe natyrisht shkëput raportet me të, kur kjo ndodh nga kryeministri i Shqipërisë, unë besoj se është gjithë shoqëria shqiptare e turpëruar”./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka