Trajneri i kombëtares shqiptare, Sylvinho u shfaq tepër i kënaqur pas fitores ndaj modestëve të Lihtenshtejnit. Një triumf 3-0, që sipas brazilianit shërbeu për të marrë sinjalet e duhura nga futbollistët.

“Të gjithë që kanë ardhur këtu, janë të përgatitur dhe gati për të luajtur në Europian. Jo vetëm Broja dhe Asani, por edhe të tjerë nuk kanë luajtur shumë. Një ndër ta ishte Ajeti, që nuk luante prej tre muajsh, por qëndroi në fushë 60 minuta dhe ishte i vendosur mirë. Donim t’u jepnim më shumë minuta lojtarëve që kanë luajtur më pak këto kohë.

Autori i golit të parë, Armando Broja pranoi se është gati për të ndihmuar kombëtaren në Euro2024.

“Ishim të gjithë bashkë dhe taktikat e trajnerit ishin shumë mirë. Fituam 3:0. Tre gola shumë të mirë dhe kemi dominuar lojën dhe kemi bërë golat që është gjëja më e bukur. Atmosfera shumë e mirë. Jemi stërvit shumë bashkë dhe të gjithë jemi shumë të kënaqur.”

Fitore besimi e konsideron Jasir Asani, ndërsa tha se stafi po e ndihmon të kap ritmin para turneut të kësaj vere.

“Unë mendoj se ndeshja me Azerbajxhanin do të jetë një ndeshje shumë e mirë dhe do të jetë një vetëbesim që të përgatitemi për në Europian dhe do të vijnë shumë tifozë.”

Mesfushori, Kristjan Asllani është gati për të bërë mirë në fushën e lojës, teksa beson se grupi do jetë në formë për tu përballur me Italinë.

“Do japim shpirtin, do japim zemrën dhe ajo që do të dalë nuk dihet, por siç thashë çunat po përgatiten mirë. Të gjithë po përgatitemi mirë që të dalim sa më mirë në ndeshjen e parë.”

Kombëtarja kuqezi do të zbresë sërish në fushë ndaj Azerbajxhanit më 7 Qershor në Haladas, një miqësore konsolidimi para sfidës së parë në Gjermani kundër Italisë.

Klan News