Ora e kryeqytetit, monumenti më domethënës për metropolin shqiptar, pas shumë vitesh e mbetur prapa, tashmë tregon kohën e saktë.

Inaugurimi i restaurimit të kullës së Sahatit me një bashkëfinancim të fondit të Ambasadorit Amerikan, Ministrisë së Kulturës, një donatori privat dhe Bashkisë së Tiranës, përcakton në të vërtetë edhe këtë simbolikë të Sahatit të Tiranës, që nënkupton bashkëjetesën e kësaj ndërtese monument me kohën që ecën pa u ndalur.

Edi Rama: “Në Shqipëri ka disa kulla sahatesh. Kulla e Tiranës ishte e vetmja që nuk është ndërtuar nga një familje e pasur, por është ndërtuar nga kontributi i përbashkët i një numri qytetarësh. Ky restaurim i rikthen Kullës së Sahatit, shkëlqimin e vet të parë për një qytet, i cili ecën me kohën dhe tani ka dhe orën për ta matur kohën ashtu siç duhet.”

John Withers: “Më kanë thënë se nëse iu ofron një dhuratë një orë një familje shqiptare pas lindjes së një foshnjeje apo në rastin e hyrjes në një apartament të ri atëherë thuhet se kjo orë do t’u sjellë fat dhe mirëqenie atyre.”

Punimet për restaurimin e kullës së Sahatit me një projekt të Fondit Shqiptar të Monumenteve të Kulturës u drejtuan nga restaurues të Institutit të Monumenteve.

Ky projekt ka rigjeneruar edhe mjedisin rreth sahatit të Tiranës, i cili tashmë mund të vizitohet çdo të hënë e të enjte, përkatësisht nga ora 9 e mëngjesit deri në 13 të drekës.

Një fanar i kuq i ndritshëm gjatë orëve të natës në çatinë e sahatit dhe kambana e orës së kryeqytetit që do të bjerë sipas kurdisjes elektrike në çdo orë që kalon rikthejnë në identitetin që i takon orën monumentale të Tiranës./tvklan.al