“Vendimmarrja u takon partive, por duhet gjithëpërfshirje”
Prezenca e OSBE-së dhe Këshilli i Europës sugjerojnë që ndryshimi i Kushtetutës i kërkuar nga opozita parlamentare duhet të nisë një vit përpara mbajtjes së zgjedhjeve.
Gjatë diskutimit në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare e vunë theksin tek gjithëpërfshirja e palëve në këtë proces, duke ia lënë këtë vendimmarrje klasës politike.
“Ky proces, sipas të gjitha praktikave më të mira ndërkombëtare dhe të theksuara me forcë nga Këshilli i Evropës duhet të nisë të paktën një vit përpara zgjedhjeve të radhës dhe duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent”.
“Ne nuk japim opinion dhe do ju sugjeroja që t’i drejtoheni Venecias”.
Në emër të opozitës parlamentare, kreu i grupit demokrat tha se ndryshimi i sistemit dhe listat e hapura kanë qenë një propozim i bërë që në vitin 2008 nga prezenca e OSBE-së në rekomandimet e saj.
“Në rekomandimet që OSBE/ODIR i ka çuar Komisionit të Reformës në 2008 ka rekomanduar që është sistemi zgjedhor me lista të hapura, ka ndryshuar kurse OSBE në 12 vjet apo është mbledhur në kompetencat e saj dhe është tkurr në zyrën e Boshardit. Rekomandimi i parë që të hiqet nga Kushtetuta dhe i dyti me lista të hapura.”
Ndërsa përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, teksa e cilësuan të paplotë relacionin e hartuar nga opozita parlamentare, u shprehën se heqja e koalicioneve dhe vendosja e pragut prej 5% penalizon partitë e vogla.
Të hënën, në emër të 28 firmëtarëve për ndryshimet kushtetuese, deputetët Murrizi e Stojku kërkuan një tjetër takim me Kryeministrin Rama, duke paralajmëruar votën kundër në parlament nëse nuk përfshihen në amendimet e reja të ligjit zgjedhor edhe kërkesat e tyre.
Tv Klan