Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka sqaruar se aktualisht nuk ka asnjë rritje të çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës. Skema e faturimit të diferencuar për këto subjekte ka hyrë prej muajit prill dhe është përcaktuar pas dakordësisë së plotë me vetë subjektet.

OSHEE sqaron se koncepti i “orarit pik”, është një koncept specifik i vendosur që në vitin 2016 nga ERE. Orari pik gjatë të cilit aplikohet çmimi për energjinë e konsumuar është: Për periudhën 1 Nëntor – 31 Mars nga ora 18:00 deri në 22:00; Për periudhën 1 Prill – 31 Tetor nga ora 19:00 deri në 23:00. Vetëm gjatë orarit pik, për subjektet private, çmimi është 15% më i shtrenjtë se çmimi i zakonshëm.  Sipas OSHEE, koncepti i energjisë pik është një koncept ndërkombëtar, i përdorur në gjithë Europën dhe më gjerë. Si rrjedhojë, çdo rritje e çmimit nga subjektet e furrave të bukës është i padrejtë dhe abuziv pasi asgjë nuk ka ndryshuar prej 1 Nëntorit.

Sipas OSHEE çmimet e reja të faturimit të energjisë janë vendosur në bashkëpunim me Shoqatën e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave, me qëllim aplikimin e drejtë dhe jo diskriminues të çmimeve të energjisë elektrike të furrave të bukës, të cilat tashmë ushtrojnë edhe aktivitete të kombinuara, si pastiçeri, bar kafe.

Nga ana tjetër OSHEE sqaron se çmimi i energjisë elektrike për furrat e bukës dhe kategoritë e bizneseve që prodhojnë buke është i subvencionuar nga ana e shtetit si një masë sociale për popullsinë dhe çmimi i energjisë është 7.6 lekë/kWh. Ndërsa dy kategoritë e tjera që operojnë edhe si pastiçeri apo bar kafe kanë çmime , nga 9.5 lekë dhe 12 lekë/kWh. Energjia e konsumuar në oraret e pikut nga ora 18:00 në 22:00 është 15% më e shtrenjtë. Para Prillit këto dy kategori faturoheshin me 14 lekë/kWh.

Rreth 1600 subjekte faturohen nga OSHEE, prej të cilave 480 subjekte janë furra buke, 865 subjekte janë furra buke dhe pastiçeri ndërsa 222 subjekte operojnë dhe si bar kafe. Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur nën monitorim çmimin e prodhimit dhe tregtimit të bukës pas njoftimit të furrave të bukës për rritjen e çmimit.

Klan News