Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes pritet të mbyllet me kujdes brenda shtatorit të këtij viti. Kështu është shprehur ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli, teksa ka sqaruar se bëhet fjalë për një proces kompleks. Sipas ministrit Ruli rreziqet e privatizimit nuk janë në nivele shqetësuese.

Genc Ruli: “Investitori mund të shoh riskun rregullator dmth që ligjet, rregullat që rregullojnë sektorin e energjisë elektrike të mos jenë të paparashikueshme, të mos ndryshojnë sipas kapriçove të stinës apo kapriçove të stinës politike. Për mua shanset janë shumë të lata, do kemi oferta të mira në muajin shtator nga kompanitë e regjistruara.”

Sot është bërë edhe prezantimi i OSSSH-së si një kompani e ndarë nga KESH, ku pronar 100% i aksioneve të saj është shteti shqiptar.

Sahit Dollapi: “OSSSH-ja ka përgjegjësi për të garantuar furnizimin cilësor të rreth 1 milion konsumatorëve të saj në të gjithë vendin, kjo do të thotë gjithashtu, se që sot konsumatorët do të identifikojnë furnizuesin e tyre të energjisë elektrike me siglën OSSSH.”

Për blerjen e kompanisë së OSSSH-së janë ofruar 4 kompani të huaja të cilat janë duke përllogaritur ofertat për fazën konkurruese të privatizimit. Fondi Monetar Ndërkombëtar këshillon Ministrinë Energjetikës që në plan të parë të vërë sigurinë e menaxhimin cilësor dhe më pas t’i lidhë çmimin privatizimit. Ndërkohë që ende nuk dihet fati që do të kenë tarifat e energjisë elektrike pas privatizimit./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro

Operator: Ben Haxhiaj