Ndërprerjet e energjisë elektrike gjatë mbrëmjes së djeshme në disa zona të Tiranës, Laçit e Lezhës, kanë ardhur si pasojë e dëmtimit të linjës së transmetimit të energjisë 220 kilovolt Vau i Dejës Lezhë, si pasojë e motit të keq gjatë këtyre ditëve.

Kështu ka deklaruar në një dalje për mediat drejtori i OST-së Ymer Balla, i cili tha se zona verilindore furnizohet nga nënstacioni 220 kilovolt i Tiranës. E si pasojë e mbingarkesës gjatë mbrëmjes së djeshme, OST ka qenë e detyruar të bëjë kufizime të vogla në furnizimin me energjinë në kryeqytet, Laç dhe Lezhë.

Balla u shpreh se janë bërë përpjeke të shumta për të riparuar avaritë e shkaktuara gjatë këtyre ditëve nga reshjet e dendura të dëborës dhe ngricat në shumë zona të vendit. Ndërsa shtoi se përpara muajit shkurt linja e dëmtuar Vau i Dejës-Lezhë do të kthehet në gjendje normale.

Ymer Balla: “Ka qenë peshë e rëndë dhe riparimi i linjës do të marri kohë. Ne kemi llogaritur, që brenda 2 maksimumi 3 javëve kjo linjë të kthehet në gjendje pune. Mosfunksionimi i kësaj linje ka disa pasoja të cilat janë reflektuar edhe mbrëmë. Jemi detyruar që të bëjmë kufizime të vogla edhe në qytetin e Tiranës, të Laçit edhe të Lezhës.”

Më tej kreu i OST-së tha se janë porositur grupet e drejtimit, që të mos bëjnë manovrim me skemën, në mënyrë që hidrocentrali i Shkopetit të furnizojë me energji veriun, çka do të bëjë që kufizimet e energjisë në kryeqytet të jenë mjaft të vogla.

Ymer Balla: “Po edhe po se bëmë këtë, kufizimet në qytetin e Tiranës do të jenë vetëm në orët e pikët do me thënë vetëm nga ora 6-8 dhe këto kufizime, duke i alternuar në të gjithë qytetin besoj që do jenë të pandjeshme për qytetarët e Tiranës.”

Sipas OST-së moti i keq i këtyre ditëve ka çuar në dëmtimin e një sërë linjash të transmetimit si ajo e Elbasan-Librazhd. Dëmtime pati edhe në linjat 110 kilovolt kryesisht në zonat verilindore të vendit.

Për këtë arsye sqaroi Balla, OST organizoi brigadat e riparimit dhe avarive, që konstatuan në terren shkëputjen në përcjellësin Laç-Vau i Dejës. Çka shkaktoi më pas ndërprerjen e energjisë për 10 orë./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro