Fatkeqësia e fundjavës së kaluar në plazhin e Gjirit të Lalëzit, ku u mbyt i riu Ervis Spahiu, tronditi pushuesit. Ky ishte dhe viktima e parë për këtë sezon. Pushuesit e shumtë që frekuentojnë këtë plazh thonë se nevoja për vendosjen e rojeve të plazhit dhe kordonit të sigurisë është emergjente.
Megjithatë, pavarësisht mungesës prej vitesh, debatet për kullat e vrojtimit apo punësimit të rojeve të plazhit janë një diskutim që ka filluar prej 3 vitesh, kur u eksperimentua për herë të parë vendosja e rojeve në plazhe. Ministria e Turizmit thotë se ky personel duhet të paguhet nga Bashkia, e po ashtu edhe marrja e masave të tjera të sigurisë. Por aktualisht, në asnjë plazh të vendit, nuk ka një shërbim të tillë.
Sipas standarteve evropiane, në një distancë prej 300 metrash duhet të ngrihet një kullë vrojtimi. Por në këtë hapësirë kilometrike të plazhit në Gjirin e Lalzit, vetëm një e tillë mund të gjendet, edhe ajo e ngritur nga një biznes privat.
Burimi: Klan Plus
Gazetare: Megi Fagu