Kjo është një tjetër video që tregon momentin e vrasjes së 27 vjeçarit, Klaudio Prendi pak pas mesnatës së të hënës në zonën e Porcelanit në Tiranë. Pamjet janë fiksuar nga një tjetër kamera sigurie e një biznesi në zonë, ku siç mund ta shihni shfaqet viktima teksa futet qetësisht në automjetin e tij tip “Mercedes G Class” të parkuar në rrugën “Xhanfize Keko”.

Vetëm 7 sekonda pasi ka hipur në makinë, atentatorët që dyshohet se kanë pritur për më shumë se 1 orë pak metra larg lokalit ku ai ndodhej së bashku me miqtë e tij atë mbrëmje, afrohen dhe e qëllojnë me pistoletë me silenciator. Plumbat fillimisht përshkruajnë xhamin e parë të automjetit, më pas krahun e shoferit, ku ndodhej viktima.

Pasi kryejnë atentatin vrasësit largohen me “Audin” ngjyrë gri me portobagazh, që siç duket është me xhama tërësisht të zinj për të mos u identifikuar nga kamerat. Në ikje, autorëve mësohet t’i jetë vënë në ndjekje një nga tre miqtë e viktimës, pjesë e radhëve të policisë, por pa rezultat.

Për të rënë në gjurmët e tyre, policia dhe prokuroria po verifikon pamje të shumta filmike ku shfaqen lëvizjet e autorëve me makinën e krimit, para dhe pas ngjarjes.

Ndërkohë hetime po kryhen edhe për disa pista të vrasjes, ku vëmendje kryesore kanë marrë konfliktet e kohëve të fundit që mund të ketë qenë i përfshirë viktima.

Tv Klan