Pas publikimit të deklaratës së zonjës Nano për blerje të apartamentit të saj nga firma e ndërtimit “Vjero” reagojnë pronarët e kësaj firme. Spiro Vjero ka deklaruar se nuk e ka ndërtuar ai pallatin në fjalë nuk ka qenë ndonjëherë pronar i kësaj godine dhe rrjedhimisht nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë shitje apo dhurimi për zonjën Nano. Administratorë dhe pronarë të “Vjero Sh.P.K.” janë çuditur kur kanë parë një dokument të hipotekës ku thuhej se kjo godinë ishte në pronësi prej tyre. Të kontaktuar në telefon ata kanë shprehur se ndërtuesit e objektit kanë ndërtuar duke shkelur ligjet, duke përdorur një leje ndërtimi të marrë më parë prej firmës “Vjero” në Bashki. Pasi ka marrë lejen e ndërtimit në nëntor të ‘97-ës, kjo firmë është tërhequr për të ndërtuar në këtë truall një vit më vonë, arsyeja pasi nuk kanë rënë dakord me pronarët e tokës. Firma “Vjero” disponon dhe shkresat zyrtare për evokimin e marrëveshjes dhe kërkim për anullim të lejes në Bashki. Sipas Spiro Vjero, në kontratat e shitblerjes në dokumentet e paraqitura në Drejtorinë e Tatimeve dhe në Hipotekë ndërtuesit e kësaj godine kanë mashtruar dhe falsifikuar nëse kanë përdorur vulen dhe firmën e tyre. Fakti që bashkëshortja e kryeministrit ble me çmim simbolik apo përfiton si dhuratë një apartament në këtë godinë të ndërtuar pa leje, licensë ndërtimi dhe me vulë të parregullt, pikërisht në kohën që bashkëshorti i saj është në detyrën e kryeministrit, ngre dyshimin se pronari ndërtues mund të ketë pasur përfitime për legalizimin e godinës pa leje të rregulllt. /tvklan.al