Në zemër të Dubait, qytet mjaft i njohur në Emiratet e Bashkuara Arabe ndodhet një muze gjithëpërfshirës që ndërthur artin dhe teknologjinë. Muzeu shpreson t’u ofrojë vizitorëve një përvojë të rrallë që përfshin efektet vizuale dhe ato akustike.
“Arte Museum” ofron 14 eksperienca të ndryshme, shumë të bukura. Fillojmë në hyrje, këtu do të shihni një valë të madhe deti shumë të bukur. Çdo dhomë, çdo ekspozitë ka aromën e vet. Pra, këtu do të shihni, do të dëgjoni tinguj të ndryshëm, por edhe të nuhasni. Pastaj do të kaloni nga vala e detit në zonën e luleve, më pas një piano ku vizitorët mund të shijojnë muzikën, por edhe të luajnë piano nëse duan.
Ekspozita e muzeut, e titulluar ‘Natyra e Përjetshme’ synon t’u kujtojë njerëzve rëndësinë e natyrës dhe mbrojtjen e mjedisit.
“Ne donim siç përmenda, të tregonim artin, çfarë mund të bëjmë, si mund ta ndërthurim me teknologjinë. Por gjithashtu, mesazhi është për ‘Natyrën e Përjetshme’ dhe cila është rëndësia e natyrës në jetën tonë.”
Muzeu është hapur në Dubai dhe jo pa qëllim.
“Ne vendosëm të jemi në Dubai sepse Dubai siç e dini është një qytet i gjallë, qytet plot jetë. Ne vendosëm të jemi në zemër të Dubait, që është Dubai Mall. Pra, thjesht për t’u treguar njerëzve dhe pastaj sidomos turistëve, sa ekspozita të bukura kemi.”
Vetë vizitorët e këtij muzeu shprehen të impresionuar për këto ekspozita të bukura që ndodhen në Dubai.
“Më ka bërë përshtypje kjo ekspozitë arti, mendoj se është një nga të parat në Lindjen e Mesme të cilën nuk e kam parë kurrë më parë. Vi nga Londra, dhe si këto kam parë shumë prej tyre si në Londër apo edhe në Evropë. Por kjo ishte gjëja e parë që pashë në Dubai, kështu që ishte shumë mbresëlënëse, veçanërisht, dhoma me valë, mendoj se emri i dhomës ishte plazh.”
Teknoologjia inovatore u ka rënë në sy edhe vizitorëve të tjerë.
“Kam parë gjëra të reja që janë këtu, më bënë të ndihem shumë mirë, sikur isha në një botë tjetër. Më pëlqyen shumë pasqyrat dhe zona e kopshtit. Ishte vërtet fantastike. Dhe çdo pesë minuta, sapo shihja gjëra të reja, surprizohesha shumë, gjithçka ishte shumë mirë.”
Muzeu gjithashtu fton vizitorët të skicojnë disa pjesë arti të cilat më pas shfaqen në ekran, por edhe të luajnë piano, diçka që vizitorë mund ta shijojnë shumë.
‘Arte Museum’, i cili hapi dyert e tij në shkurt të këtij viti u prodhua nga kompania e njohur koreane e dizajnit.
Klan News