Policia dhe Prokuroria po heton dy pista
Kjo është një tjetër video e cila ka fiksuar momentin e shpërthimit tragjik në Lushnje që la të vdekur 2 persona, babë e bir në Lushnjë dhe plagosi 6 të tjerë, mes tyre edhe deputetin socialist Bujar Çela, i cili rezulton dhe pronar i një prej dy magazinave ku u regjistrua ngjarja. Shpërthimi siç shihet në videon e kapur nga një kënd tjetër, ka krijuar valë të fuqishme goditjeje dhe një re të madhe tymi.
Një ditë pas shpërthimit në vendngjarje kanë zbarkuar ekspertët e policisë dhe prokurorisë të cilët po kryejnë verifikime për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarje. Dyshimet paraprake të hetuesve janë përqëndruar në dy pista. Një që ngjarja ka ardhur për shkak se vinçi ka prekur një prej shtyllave të tensionit të lartë të energjisë. Ndërsa tjetra se vinçi po ngrinte dy bombula oksigjeni, dhe një prej tyre ka rënë.
Mbi këto dyshime në vendngjarje kanë mbërritur dhe ekspertët xhenierë, për shkak të dyshimeve se një bombula tjetër e oksigjenit që ndodhet në vinç nuk ka shpërthyer dhe mund të përbën rrezik.
Krahas dy viktimave dhe të plagosurve, siç mund ta shihni dhe në pamje ky shpërthim la pas dhe dëme të shumta materiale tek banesat që ndodheshin pranë “Rrethrrotullimit të Plastmasit”.
Por jo vetëm dëme në njerëz dhe materiale, ngjarja ka shkaktuar traumë tek të gjithë qytetarët që e përjetuan. Aktulisht 2 të plagosur mes të cilëve dhe deputeti socialist, Bujar Çela po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa nga 4 të lënduarit e tjerë nga shpërthimi, vetëm 3 prej tyre ndodhen ende në spital.
Tv Klan