Reperi Sean Diddy ka kërkuar falje për sulmin ndaj ish të dashurës së tij Cassandra “Cassie” Ventura pasi videoja që ai e dhunonte fizikisht atë në korridorin e një hoteli në vitin 2016 u bë mjaft virale dhe solli reagime të shumta nga mbarë opinioni publik ditët e fundit.

Diddy zgjodhi që të bënte një reagim në faqen e tij në “Instagram”, ku tha se merr përgjegjësinë e plotë për veprimet e tij të pafalshme të bëra publike në video.

“Isha i neveritur kur e bëra. Jam i neveritur tani. Shkova dhe kërkova ndihmë profesionale. Shkova në terapi, në rehabilitim. Më duhej t’i kërkoja Zotit mëshirën e tij. Më vjen shumë keq”, u shpreh ai.

Gjatë fjalës së tij, reperi shtoi se ishte i përkushtuar për të qenë një njeri më i mirë çdo ditë.

Por avokatët e këngëtares, modeles dhe aktores Ventura thanë për CBS News se deklarata e re e tij ishte “më shumë për veten e tij sesa për shumë njerëz që ai ka lënduar”.

“Kur Cassie dhe shumë gra të tjera dolën përpara, ai mohoi gjithçka. Ai u detyrua të kërkonte falje vetëm pasi mohimet e tij të përsëritura u vërtetuan të rreme dhe kjo tregon dëshpërimin e tij patetik dhe askush nuk do të ndikohet nga fjalët e tij të pasinqerta”, tha avokatja Meredith Firetog.

Në një deklaratë të mëparshme, avokatët e Venturës thanë: Videoja tronditëse vetëm sa ka konfirmuar më tej sjelljen shqetësuese dhe grabitqare të zotit Combs.

Pamjet e publikuara nga CNN treguan një burrë që media e huaj e identifikoi si Combs duke e shtyrë dhe e shkelmuar ish të dashurën e tij ndërsa ajo ishte në tokë. Ai më pas tentoi ta tërhiqte zvarrë nga këmisha dhe t’i hedhë një objekt. Sipas CNN, videoja u filmua në hotelin tashmë të mbyllur, InterContinental në Century City, Los Angeles./tvklan.al