Me lot në sy, kolegët e repartit “Shqiponja” i dhanë lamtumirën e fundit këtë të mërkurë 28-vjeçarit Novruz Cenalia. Këto janë momentet prekëse kur ata me radhë parakalojnë para arkivolit të tij, e më pas takojnë familjarët e efektivit që u vra dy ditë më parë.
Homazhet në nder të tij u mbajtën në hollin e “Teatrit Bylis” në Fier. Në to morën pjesë mes të tjerash edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Të pranishëm po ashtu ishin efektivë të shumtë të policisë së Fierit, e shumë qytetarë.
Më pas arkivoli i policit u transportua drejt varrezave të fshatit Baltëz, aty ku do të prehet në një ceremoni ku pritet që një fjalë të mbajë edhe ministri Balla, kreu i bashkisë së Fierit, etj.
Novruz Cenalia u vra mesditën e së hënës teksa ishte nisur për në punë. Autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë është 23-vjeçari Azgan Mërnica, i cili që prej atij momenti vijon të jetë në arrati. Shkak për ngjarjen tragjike dyshohet se u bë një konflikt i çastit./tvklan.al











