Përcillet sot për në banesën e fundit efektivi i policisë së forcave “Shqiponja”, Novruz Cenalia. Në hollin e Teatrit Bylis në Fier është vendosur arkivoli i efektivit të policisë, ku po të kryhen homazhe nga familjarë, kolegë, qytetarë dhe autoritetet për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Në homazhe morën pjesë edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.
Lamtumirën e fundit ia dhanë edhe kolegët. Dukshëm të prekur, djem e vajza të drejtorisë së Policisë së Fierit, bënë nderimet e tyre para arkivolit të efektivit.
Siç raporton gazetarja Anila Sefa, 28-vjeçari do të prehet në varrezat e fshatit Baltëz.
Efektivi i policisë Novruz Cenalia u vra mesditën e së hënës, pas një konflikti të çastit me 23-vjeçarin Azgan Mërnica, i cili pas kryerjes së kësaj vrasje është në arrati. Prej dy ditësh forcat e policisë, forcat speciale RENEA kanë vijuar kërkimet për gjetjen e autorit duke u shtrirë në disa qytete të jugut të vendit./tvklan.al













