Panairi “Tirana AgroFair”, një event që mblodhi në Tiranë fermerë nga e gjithë Shqipëria dhe biznese të ndryshme, u prezantuan produktet e freskëta dhe autoktone, me vulën “Made in Albania”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë vizitës në panair theksoi rëndësinë e mbështetjes së bizneseve të vogla dhe familjare, për produktet lokale.
Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tiranë: Ftesa është të blini produkte lokale, ndihmoni bizneset e vogla, ndihmoni bizneset familjare. Kush blen pak kafe, rakinë dhe verën, ose pak ushqime, nuk ka bërë vetëm shtrimin e tavolinës, ka ndihmuar edhe një vajzë të vogël që të blejë librat e shkollës, ka ndihmuar edhe një djalë të vogël që të blejë këpucët e para të futbollit. Ky biznes familjar duhet mbështetur jo vetëm nga Bashkia e Tiranës, por nga kushdo që i ka mundësitë.
Teksa punimet për autostradën Tiranë-Durrës kanë nisur tashmë, Veliaj njoftoi se të gjitha pishat që po zhvendosen nga aty, do të mbillen në parqet e Liqenit të Tiranës, Farkës dhe Prushit.
Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tiranë: Kemi një operacion shumë të madh, që fillon sot dhe do të zgjasë disa ditë. Të gjithë pishat që hiqen nga autostrada për zgjerimin e korsisë do të mbillen në parkun e Liqenit të Tiranës, Farkës dhe të Prushit. Kështu, sigurohemi që asgjë nuk shkon dëm në këtë qytet, të gjithë mbështesim njëri-tjetrin dhe me këtë energji pozitive ecim të gjithë përpara.
Veliaj nënvizoi se falë mbështetjes dhe bashkëpunimit, projektet për Tiranën do të vijojnë.
Klan News