Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në kuadër të realizimit të objektivave të forcave të armatosura për anëtarësimin në NATO është zhvilluar sot në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” një konsultë për krijimin e shkollave të trupës. Në këtë konsultë, ku ka marrë pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko është diskutuar për rolin që do të luajnë këto shkolla, në kualifikimin e kuadrove ushtarakë dhe në mënyrë të veçantë të oficerëve të ardhshëm.

Sipas ministrit Majko, tani ka oficerë të cilët kanë vetëm gradat e oficerëve, për këtë arsye, ngritja e shkollave të trupës, do të ndikojë pozitivisht për përgatitjen e kuadrove të aftë. Krahas arritjeve, tha Majko në fjalën e tij, ka dhe një varg problemesh në krijimin e shkollave të trupave.

Pandeli Majko:- “Janë një moment i parë, një hap i parë që kanë të bëjnë me strukturimin e rrugës për krijimin e oficerit të forcave të armatosura të republikës së Shqipërisë. Ky ndoshta është një nga momentet më të rëndësishme në krijimin e figurës, e shkollës shqiptare, të krijimit të oficerit shqiptar. Ne flasim shumë për oficerin e forcave të armatosura, por tani për tani, duhet të pranojmë që oficerin e mirë, ne e dallojmë nga dëshira e mirë”.

Krijimi i këtyre shkollave ushtarake, do të bëhet në bazë të modelit perëndimor dhe do të realizohet me asistencën teknike, të ekipit amerikan. Shkollat e trupës janë pjesë përbërëse e institucioneve të realizimit të stërvitjes për arritjen e objektivave të arsimit, të cilat do të kenë si mision të pajisin personelin me njohuri të nevojshme për specialitetet përkatëse./tvklan.al