Përballimi i pandemive në një kohë kur bota për kërcënohet nga viruset e panjohur ka mbledhur në një konferencë përfaqësues të ministrisë së Shëndetësisë, ISHP-së, Institutit Superior të Shëndetësisë në Itali dhe ekspertë të kësaj fushe.

Mënyra e përballimit të situatave dhe shkëmbimi i eksperiencave dhe me fqinjët italian ishte në fokus të kësaj konference. Ku përfaqësuesit shqiptar theksuan se sistemi ynë shëndetësor është i aftë të përballojë çdo lloj pandemie.

Arben Ivanaj: “Ne mendojmë se tërësia e rregullimeve ligjore që ne kemi ndërmarrë dhe tërësia e vendimeve që ne kemi marrë na bën të aftë që të inkuadrohemi në të gjitha bashkëpunimet rajonale dhe multilaterale në kuadër të kontrollit të sëmundjeve infektive.”

Arjan Harxhi: “Në rastin e kësaj pandemie ekspertët që do jenë apo specialistët që do jenë të parët që do përballen janë specialistët e Shëndetit Publik dhe specialistët  e sëmundjeve infektive. Unë mund të them që personeli është i mjaftueshëm në Shqipëri, pavarësisht që ka pasur një tendencë të uljes së numrit që është e natyrshme sepse ne kemi trashëguar një numër shumë të shtuar të specialistëve  para viteve 90, por mendoj që numri është i mjaftueshëm dhe kapacitetet e tyre janë të mjaftueshme për ta përballuar situatën.”

Përsa i përket bashkëpunimit me Italinë ambasadori i vendit fqinj në Tiranë Saba D’Elia tha se në sektorin shëndetësor janë 18 projekte me një vlerë prej 45 milion eurosh./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami