Pas më pak se dy javësh Shqipëria do të nisë kualifikueset e Europianit. Ndeshja e parë do të jetë në shtëpi ndaj Turqisë. Trajneri Christian Panucci uron që të arrihet një fitore në “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Christian Panucci, trajner i Kombëtares:
Jam besimplotë sepse pas Ligës së Kombeve dhe miqësoreve ndryshuam diçka, sjelljen tonë në fushë dhe urojmë që të ecim përpara. Objektivi ynë është fitorja me Turqinë, të përpiqemi ta arrijmë dhe pastaj të mendojmë për Andorrën.
Lista e tij pritet të ketë emra të rinj. Njëri prej tyre është Kristi Qose sipas asaj që ka shkruhet në faqen zyrtare të Ruzomberok, ekipi ku luan mesfushori në Sllovaki. Panucci nuk pranoi të komentojë gjatë duke lënë që gjithçka të zyrtarizohet në ditën e caktuar, por tregon për TV Klan se një tjetër emër i përfolur do të mungojë.
Christian Panucci, trajner i Kombëtares:
Të enjten do të shpallet lista e lojtarëve dhe deri atë ditë nuk mund të them shumë. Kumbulla është i dëmtuar dhe nuk mund të jetë gati, nuk do të jetë në këtë grumbullim.
Marash Kumbulla i cili sapo mbushi 19 vjeç aktivizohet me Verona në Serie B. Christian Panucci i gëzohet rikthimit të Amir Abrashit dhe Armando Sadikut. Të dy kaluan dëmtimet që i mbajtën disa muaj larg fushave, por shqetësim mbetet gjendja e Sokol Cikalleshit dhe Eros Grezdës. Ky i fundit i është rikthyer stërvitjes, por ende nuk është grumbulluar me Rangers.
Tv Klan