Shqipëria arriti një fitore morali në miqësoren me Uellsin, pas dështimit në Ligën e Kombeve. Suksesi 1 – 0 u vendos me penalltinë e shënuar nga Balaj në pjesën e dytë, në lojën ku kundërshtari tregoi më shumë në fushë, por nuk mori atë që kërkonte. Trajneri Christian Panucci tha se ka ende probleme, por e rëndësishme ishte që lojtarët e mbështesin, një arsye më shumë që të vijojë punën te Shqipëria.
“Ishte e rëndësishme të jepnim një sinjal pas paraqitjes së shëmtuar në Ligën e Kombeve. Kjo fitore nuk do të thotë që nuk kemi probleme, pasi kemi shumë probleme. E ardhmja ime është normale që u vendos në diskutim para ndeshjes, por lojtarët kanë punuar seriozisht, nëse do të mendoja që nuk do të më mbështesnin do të shkoja direkt te Duka t’i kërkoja të largohesha.”
Trajneri i Uellsit, Ryan Giggs tha se mungesa e përqendrimit bëri që të humbisnin ndeshjen.
“Kam kohë që jam pjesë e futbollit dhe e kuptoj diçka që ndodh. Futbollistëve u mungoi përqendrimi. Paraqitja nuk ishte e mirë dhe e morëm atë që merituam. E kontrolluam lojën gjatë pjesës së parë dhe menduam që do ta kishim të lehtë.”
Kombëtarja duhet të presë shortin e kualifikueseve të Euro 2020 që do të hidhet më 2 Dhjetor. Shqipëria pas rezultateve të dobëta zbriti në vazon e katërt.
Tv Klan