Parada Ushtarake u zhvillua sot pasdite në ambjentet e Akademisë “Skënderbej” në përkujtim të festave të 87 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe 55 vjetorit të Çlirimit të vendit. Në ceremoni mori pjesë Presidenti Mejdani, Kryeministri Meta, Kryetari i Parlamentit Gjinushi, ministra, deputetë, veteranë të luftës Antifashiste dhe Ambasadorët e akredituar në vendin tonë.

Në fjalën e rastit Presidenti Mejdani në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës ka theksuar rëndësinë e 28 dhe 29 Nëntorit dy datave të shënuara historike për popullin tonë. Vetëm bashkimi të çon drejt përparimit dhe demokracisë. Ne jemi krenarë për mundin dhe djersën tuaj, dhënë për çlirimin e vendit, i është drejtuar Mejdani veteranëve të luftës. Mejdani ka vënë në dukje se festimi i këtyre datave është edhe më i veçantë pas ngjarjeve në Kosovë ku ai ka përshëndetur luftëtarët e saj për lirinë e fituar me gjak.

Mejdani ka theksuar rolin e Ushtrisë Shqiptare që po ecën në rrugën e reformimit të plotë të saj për t’ju përshtatur strukturave bashkëkohore Euroatlantike. Pas fjalës së Mejdanit është zhvilluar parada ushtarake. Atë e ka hapur kuadrati i flamurtarëve i ndjekur nga dy kuadrate me veteranët duke na rikujtuar paradat e dikurshme.

Më pas kanë parakaluar kuadratet që përfaqësonin të gjitha armët e ushtrisë shqiptare, forcat tokësore, ajrore, detare, komando dhe speciale, policia ushtarake, Garda e Republikës, si dhe studentë dhe oficerë të Akademisë Ushtarake. Parakalimi është shoqëruar nga fluturimi i nje skuadriljeje të përbëre nga 6 avionë luftarakë të forcave ajrore shqiptare. Më pas programi ka vazhduar në ambjentet sportive të Akademisë me demonstrime të ndryshme fizike e taktike nga pjesëtarë të forcave komando dhe studentë të Akademisë Skënderbej./tvklan.al