Kryeministri Meta dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi kanë përshëndetur formimin e qeverisë së Unitetit Kombëtar në Maqedoni gjatë një takimi në Kryeministri. Ata kanë kërkuar pushimin e menjëhershëm të luftës dhe i kanë bërë thirrje partive politike shqiptare atje, të marrin pjesë në qeverinë e re. Pas takimit ata deklaruan:

“Ne si qeveri shqiptare përshëndesim idenë për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar në Maqedoni që parashikohet të përfshijë dhe partitë opozitare shqiptare dhe maqedonase pasi kjo do të ishte një rast shumë i mirë për të ndërmarrë reformat e duhura institucionale që do të krijoni marrëdhënie të reja ndëretnike atje në dobi të stabilitetit afatgjatë të Maqedonisë. “- shpreh Kryeministri Meta.

“Ne mbështesim integritetin territorial të Maqedonisë. Kriza që është krijuar ka lindur aty dhe qeveria e ka gjetur këtë krizë të gatshme për t’u ballafaquar me tejkalimin e kësaj krize. Ne e mbështesim qasjen për ndryshimet demokratike në këtë qasje që qytetarët të ndihen të barabartë, por nuk mbështesim konfrontimin e armatosur, nuk mbështesim luftën e armatosur, ne mbështesim dialogun.”

I pyetur rreth akuzave se Kosova është qendra e grupeve të armatosura që veprojnë në Maqedoni, Thaçi tha se problemet janë krijuar aty dhe do të zgjidhen aty./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego