Mbrëmjen e kësaj të premteje Ori u ngjit në skenën e “X Factor Albania” me këngën “Blurred lines” nga Robin Thicke. Megjithëse u përpoq të jepte maksimumin, “çalimi” i tij në këtë performancë nuk kishte se si të mos vihej re nga anëtarët e jurisë. Adi Krasta pati një vërejtje të ashpër për artistin.

“Ka një moment tek fraza ‘good day’ e cila ka një kadencë që duhet të ishte organizuar dhe organizohet kur kërkon një vëmendje të madhe. Jo se ka ndonjë gjë të madhe, shfaqja vazhdon, konkursi vazhdon, ti vazhdon. Përgjithësisht kishte falsetë të mirë, e organizuar kënga. E këndove dhe me një vetëdije artistike që është kënga, por këtu fillojnë të bien njerëzit jo nga ajo që përfaqësojnë, por nga ajo që nuk zgjidhin mirë qoftë dhe në momente të veçanta. Vije re kur ta shohësh në televizor dhe është një frazë në një këngë që ti e ke marrë për ta kënduar dhe është e pa organizuar nga mënyra se si shkon deri në fund. Nuk është fundi i botës, por mund të jetë fundi i garës”, tha Adi Krasta.

Performanca jo në shkallën e duhur e Orit e paska një arsye dhe kjo na qenka viroza e stinës. Megjithatë Adi Krasta nuk hoqi dorë nga kritikat e tij, duke i bërë dhe një herë të qartë programin ku ai kishte vendosur të konkurronte.

“Pavarësisht nga pretendimet që ka, si program nuk është programi trupi dhe shëndeti, kështu që ne vuajtjet dhe mjerimet i mbajmë për vete. Në skenë këndojmë, kërcejmë dhe flasim”, tha Krasta./tvklan.al