Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Situata më e fundit me temperatura të ulëta e reshje shiu ka lënë ende gjurmë në zonat veriore të vendit. Në Malësinë e Madhe ka ende komuna të bllokuara nga bora. 2800 banorë janë të bllokuar në komunën e Kelmendit. Po kështu, komuna e Pukës me 17 mijë banorë. Kryesisht rrugët janë të bllokuara në Iballë, Fierzë e Blerim.
Në rrethin e Kukësit rrugët rurale mbeten të bllokuara, por lajme të mira na vijnë nga specialistët e sinoptikës. Pranvera do të vërtetohet se ka ardhur vetëm Ditën e Verës në 14 Mars. Të dielën temperaturat do të rriten 4-5 gradë më tepër se ditët e fundit. Fundjava do të ketë mot të mirë.
Sinoptikanja Elvira Dhimitri sqaron, se nga sot nuk do të kemi më reshje gjatë tre ditëve të ardhshme. Luhatje të motit do të ketë në pasditen e ditës së hënë, por e sigurt se nuk do të kemi më ulje të temperaturës. Vendi do të përshkohet nga rryma të ngrohta të ardhur nga jugu i Europës. E pas luhatjes që do të vërehet në dy ditët e para të fillim javës, moti do të përmirësohet e temperaturat do të jenë gjithnjë në rritje./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti