Në një sipërfaqe prej 4 mijë metrash katrorë do të ngrihet godinë e re 4 katëshe e spitalit të Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare.
Kapaciteti i strukturës së re spitalore që pritet të përfundojë në Qershor do të jetë prej 80 shtretër. Mjekët kardiologë i pohojnë kryeministrit që inspektoi nisjen e punimeve se godina e re do t’u japë mundësi që kryejnë ndërhyrje që deri më tani, për shkak të kushteve nuk bëheshin në Qendrën Spitalore Nënë Tereza.
Ndërkohë ish-godinat e vjetra të Kirurgjisë në QSUT do të shemben për t’i hapur rrugë ndërtimit të parkingut me 5 kate mbi tokë dhe një nëntokë. Projekti parashikon që të ketë 1400 vende parkingu, afërsisht dyfishi i kapacitetit të makinave që mund të parkohen aktualisht brenda Qendrës Spitalore.
“Janë afro 4000 makina që hyjnë e dalin në ditë dhe afro 120 mijë makina që qarkullojnë brenda muajit, duke rritur shumë fluksin e lëvizshmërisë brenda hapësirave të brendshme dhe duke krijuar dhe një situatë jo të këndshme dhe jo fort të pëlqyeshme për të gjithë ata që marrin shërbime këtu. Qendra do të ofrojë afro 1400 vendparkime, ndërkohë që do të ketë edhe parkime të dedikuara për personat me aftësi të kufizuar, parkime të dedikuara për makinat, të cilat funksionojnë me energji dhe janë të karikueshme”.
Ministrja e Shëndetësisë lajmëron dhe për ndërtimin e një strukture hoteliere, që do të shërbejë për familjarët e pacientëve të shtruar në QSUT apo dhe studentëve dhe mjekët e bashkëpunëtorët e jashtëm. Mbi tarracën e kësaj godine është parashikuar dhe hapësire për uljen e helikopterëve të urgjencave.
Tv Klan